Një nga filmat më të shumëpritur të vitit, “Oppenheimer”, sot më 21 korrik, ka premierën në mbarë botën.
Filmi është një biografi që tregon ngritjen dhe rënien e shkencëtarit enigmatik Robert Oppenheimer, i cili shpiku dhe lëshoi armën më vdekjeprurëse që ka njohur bota me potencialin për të shkatërruar njerëzimin.
Por ndërsa Oppenheimer, pas Luftës së Dytë Botërore, u përball publikisht me pasojat morale të shpikjes së tij, pak njerëz e dinë se pasojat politike që pasuan ndikuan aq thellë në jetën personale të tij, saqë ai kaloi vitet e fundit të jetës i fshehur në ishullin e vogël të Shën Gjonit në Ishujt e Virgjër të Amerikës.
“Në vitin 1945, pasi ushtria amerikane hodhi një bombë atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, Oppenheimer u përshëndet si një hero kombëtar. Imazhi i tij u vendos në kopertinën e revistave “Time” dhe “Life” dhe ai u bë shkencëtari më i famshëm i Amerikës,” shkruan Kai Bird, fitues i çmimit “Pulitzer” dhe çmimit “American Triphheus” në librin biografik të fizikanit që ka frymëzuar edhe filmin e ri.
Më pas, në vitin 1954, ai befas zhduket nga jeta publike, pothuajse deri në ditën kur vdiq. Oppenheimer mori gruan dhe fëmijët dhe “u arratis” në ishullin e vogël të Shën Gjonit.
Sot, parcela prej dy hektarësh dhe vila modeste ku jetoi “babai i bombës atomike”, nga viti 1955 dhe deri në vdekjen e tij në 1967 është tokë publike dhe njihet si plazhi i Oppenheimer-it. Megjithëse nuk shfaqet në shumicën e hartave turistike, ai konsiderohet si një nga plazhet më të mira në Ishujt e Virgjër .
Udhëtimi i Oppenheimer për në ishullin e Shën Gjonit filloi me projektin top-sekret Manhattan , ku ai drejtoi ekipin që zhvilloi bombën e parë atomike.
Siç shkruan Bird, “Pikëpamja e Oppenheimer për pajisjen që po ndërtonte nuk ndryshoi kurrë. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm që nga dita kur iu bashkua projektit në vitin 1942 se çfarë gjëje të tmerrshme po krijonin dhe që ajo do të ishte arma që do të kishte potencial të madh shkatërrues.”
Në vend të kësaj, Oppenheimer, Albert Einstein dhe shumica e fizikanëve kryesorë të kohës ishin të bindur se krijimi i bombës ishte i pashmangshëm dhe se nëse Oppenheimer nuk do ta krijonte atë, do ta krijonin të parët nazistët.
“Kishte një garë për të ndërtuar këtë armë dhe ai mendoi se nëse Hitleri do ta kishte i pari, do ta përdorte për të fituar luftën, dhe kjo do të ishte një rezultat i tmerrshëm, tragjik. Kështu, ai u ndje i detyruar ta bënte këtë. Por menjëherë pas asaj që ndodhi në Hiroshimë, ai ra në një depresion të thellë… ai kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur të paralajmëronte njerëzimin për rreziqet e këtyre armëve dhe nevojën për t’i kontrolluar ato, kështu që ai kishte një marrëdhënie shumë të ndërlikuar me krijesën që ai vetë ndërtoi“, shkruan Bird.
Kur sovjetikët shpërthyen bombën e tyre të parë atomike në vitin 1949, presidenti amerikan Harry Truman urdhëroi shkencëtarët amerikanë të nisnin një program të ri për të ndërtuar një bombë me hidrogjen, shpërthimi bërthamor i së cilës mund të ishte 1000 herë më i fuqishëm se një bombë atomike. Oppenheimer, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë për politikën dhe mbrojtjen bërthamore, kundërshtoi mbi baza morale dhe praktike, duke i thënë Trumanit: “Ndjej se kam gjak në duart e mia“.
Sfidimi i Oppenheimer përfundimisht e bëri atë objektiv kryesor të histerisë antikomuniste të SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë. Në pranverën e vitit 1954, ai duroi një përballje me pyetje shteruese katër-javore që vuri në dyshim besnikërinë e tij ndaj SHBA-ve. Pas kësaj qeveria i hoqi lejen e sigurisë. SHBA përfundimisht do ta pastronte emrin e tij 68 vjet më vonë.
Tashmë ai ishte një Oppenheimer me flokë plotësisht të bardhë që mbeti “i poshtëruar, i plagosur dhe i rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht“, thotë Bird.
Ishte atë verë që fizikanti i turpëruar u largua nga shtëpia e tij në Princeton, Nju Xhersi, hipi në një anije 72 metra të gjatë me gruan dhe dy fëmijët e tij dhe u nis për në ishullin e Shën Gjonit për të mos e kthyer më kokën mbrapa.
“Ai po arratisej, me shpresën se do ti shpëtonte famës së të qenit “babai i bombës atomike”, por edhe famës së keqe që e pllakosi pas gjyqit të ’54-ës, dyshimeve për pabesi, akuzave se ishte komunist apo ndoshta edhe spiun”, tha Bird.
Kur e panë ishullin për herë të parë, Oppenheimer ra në dashuri me Shën Gjonin. Ai gjeti një pronë në plazh dhe ndërtoi një vilë shumë të thjeshtë. Shën Gjoni ishte shumë larg nga jeta që la pas. Ai ishte rritur në një shtëpi luksoze në anën Upper West të Manhatanit me tre shërbyese, një shofer dhe i rrethuar nga pikturat e Van Gogh-ut të varura në mure.
“Arsyeja pse ata zgjodhën Shën Gjonin ishte sepse vendi ishte thuajse i izoluar nga bota tjetër” tha Sr. David W Knight, një historian vendas, familja e të cilit ishte mike e mirë me Oppenheimers.
“Askush nuk do ta ngacmonte Robertin aty sepse askush nuk e dinte se kush ishte ai. Ishulli ishte një vend i mrekullueshëm për t’u fshehur dhe për të qenë një anonim. Është kaq e thjeshtë.”
Por kishte dhe një arsye thelbësore pse krijuesi i bombës atomike zgjodhi ishullin.
“Prindërit e mi përsërisnin shpesh se arsyeja pse Oppenheimer kishte zgjedhur Ishujt e Virgjër të SHBA-së ishte se ai kishte bindjes se nëse krijesa e tij shkatërruese do të përdorej kundër SHBA-ve, ishulli do të ishte një nga vendet e fundit të prekura nga pasojat bërthamore”.
Kjo anë e jetës së tij vetëm sa ceket në krijimin e fundit të regjisorit Christopher Nolan që tregon në fakt historinë e bombës atomike përmes syve të krijuesit të saj, J. Robert Oppenheimer, interpretuar nga ylli i “Peaky Blinders”, Cillian Murphy.
Filmi, i cili përmban një kastë dytësore aktorësh, duke përfshirë Matt Damon, Emily Blunt, Florence Pugh dhe Robert Downey Jr., bazohet në biografinë e Kai Bird dhe Martin J. Sherwin, fitues të çmimit Pulitzer, “Prometheu Amerikan: Triumfi dhe Tragjedia e J. Robert Oppenheimer”.
Top Channel