Nga takimet e së mërkurës në Bruksel u përcoll edhe njëherë kërkesa për shtensionim të situatës në veri dhe zbatim të marrëveshjes bazë.
Kjo u bë e qartë edhe nga ambasadori i BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog gjatë një tryeze për bashkëpunimin rajonal.
Duke kujtuar protestat e majit në veri të Kosovës, ai u shpreh se në Evropë ka mjaftueshëm dhunë, për t’u përballur BE-ja me një konflikt tjetër.
“Të dyja, Kosova dhe Serbia pritet të kontribuojnë në bashkëpunim rajonal dhe t’i tejkalojnë të kaluarën. Kemi shumë dhunë në Evropë tashmë dhe nuk mund ta përballojmë një tjetër konflikt tjetër. Strategjia e BE-së ka objektiva për ta zgjeruar dialogun, për ta rritur kontributin e Ballkanit Perëndimor në misionet operacionale të BE-së dhe ta zgjerojë bashkëpunimin në inteligjencë dhe mbrojtje”.
Tutje shtoi se palët duhet të zbatojnë marrëveshjen bazë të normalizimit.
“Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dobishme edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit dhe është kyçe për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës. E kemi parë muajt e fundit përkeqësim të situatës në veri të Kosovës se si mund të shkaktojë dhunë edhe në tërë rajonin. Prioritet i yni është që të arrijmë de-eskalim dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri dhe për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët dhe zbatim të marrëveshjes për normalizim”
Ndërkaq, opozita është më e ashpër karshi Qeverisë sa i përket situatës në veri, dialogut me Serbinë e marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
“Ajo që ka ndodhur së fundmi ne e shohim si ikje nga përgjegjësia e qeverisë sonë edhe kryetarit të qeverisë, ikje nga përgjegjësia, ikje nga marrëveshje që është një lloj thike pas shpine iu siguroj në këto procese dhe është një rikthim në metoda që i kemi parë bashkë që na sollën deri tek sanksionet. Ne kemi mbajt qëndrime ndihmëse për të mos ardhur në këto situata edhe kur kemi propozuar që mos të mbahen zgjedhjet në veri”.
Pas takimit mes kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës, në Bruksel pritet të mbahet një takim i nivelit të lartë për shtensionim të situatës dhe sekuencimin e planit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Top Channel