Macron akuza Rusisë: Po përdor marrëveshjen e grurit si një armë lufte

19/07/2023 15:18

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar Rusinë se po përdor marrëveshjen e grurit si një armë lufte.

Duke folur para gazetarëve në Samitin BE-Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve në Bruksel, Macron theksoi se vendimi i njëanshëm nga Rusia do të ketë pasoja domethënëse për vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë që mbështeten në marrëveshjen.

 “Ata që dyshojnë në sinqeritetin e Putinit dhe përkushtimin e tij ndaj të mirave të përbashkëta, përgjigja është shumë e qartë… ai vendosi të përdorë ushqimin si armë dhe mendoj se ky është një gabim i madh”, sipas Macron.

Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në korrik të vitit të kaluar nga Turqia, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim fillimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase, të cilat ishin ndaluar si rezultat i luftës ruso-ukrainase që filloi në shkurt të vitit 2022.

Më 18 maj, marrëveshja u zgjat për 60 ditë të tjera, duke siguruar vazhdimin e eksporteve të drithërave sipas marrëveshjes dhe duke shmangur një krizë ushqimore në botë.

Top Channel