Intervista e parë pas Wimbledon, Alcaraz: Më uroi Will Smith, nuk vendos limite për veten!

18/07/2023 13:20

Carlos Alcaraz triumfoi në edicionin e 136-të të Wimbledon teksa mposhti në një finale epike, Novak Djokovic.

Për 20-vjeçarin ishte trofeu i dytë Grand Slam pas US Open, ndërsa ky trofe i garantoi edhe ruajtjen e statusit si numri një i botës. Në intervistën e parë për mediat spanjolle të pranishme në Londër, tenisti nga Murcia u shpreh se nuk i vendos vetes limite ndërsa zbuloi se mesazhet që i bënë më shumë përshtypje ishin ato të aktorit të famshëm, Will Smith si dhe idhullit të tij, Rafael Nadal.

“Po i shijoj këto ditë, por duhet të qëndrojë me këmbë në tokë në mënyrë që të mos humbas përqëndrimin për turnetë dhe objektivat e radhës. Është një kënaqësi e madhe, ky trofe i Wimbledon është një ëndërr e bërë realitet. Me vitet që kalonin unë e kisha gjithnjë e më të qartë rrugën time dhe falë punës së vazhdueshme e të palodhshme, jam surprizuar gjithnjë e më pak nga ajo që kam arritur. Kjo sepse unë jam i vetëdijshëm për aftësitë që zotëroj dhe pak nga pak kam besuar se mund të arrij gjithçka.

Unë do të vazhdoj përsa kohë që fiziku të ma lejojë, por nuk dua të vendos numra. Nuk mund të them tani se me sa tituj do ta mbyll karrierën. Mendimi im i vetëm është të fitoj turneun e radhës, Grand Slam-in e radhës. Është tani afër, brenda pak muajve dhe unë dua të fitoj sërish me gjithë respektin që kam për Djokovic apo Nadal.

Mesazhet e urimit? Më kanë lumturuar shumë, kanë qenë të shumtë. Por, mund të them se ai që më ka surprizuar më tepër ka qenë Will Smith. Nuk më besohej, Will Smith që më uron mua, deri në këtë pikë kemi arritur. Pastaj është gjithmonë speciale kur të uron një nga idhujt e tu si Nadal apo Fernando Alonso. E admiroj shumë Alonson”, u shpreh Alcaraz./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA