Opozita e Kosovës ka dënuar ashpër bojkotimin që Kosova i bëri takimit joformal BE-Ballkani do të zhvillohet mesditën e sotme në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e konsideron fëmijërore refuzimin e Kurtit për të pranuar ftesën e Ramës, duke shtuar se për vetë rëndësinë e takimit, kreu i qeverisë së Kosovës duhej të ndodhej sot në Tiranë.
Ndërsa i kujton Kurtit se nuk ishte i ftuar në dasmë, por në një takim me liderët e rajonit, Çitaku thekson se refuzimi që udhëheqësi kosovar i bëri Ramës ishte e gjitha për kapriço personale.
“Fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu”, shkruan Vlora Çitaku nënkryetare e PDK-së.
Liderët e rajonit së bashku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo. Sakaq, qeveria e Kosovës nuk do të ketë përfaqësues, duke e bojkotuar kështu takimin.
Kryeministri Kurti, sipas një komunikimi të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Ndërsa, Këshilltari për Media në zyrën e zv.kryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu deklaroi se pjesëmarrja e Bislimit në takimin joformal nuk ka qenë e planifikuar.
Top Channel