Balla e nis me betejën ndaj drogës/ Ministri i Brendshëm: Luftë sistematike në të gjithë vendin

16/07/2023 11:57

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, premton një luftë sistematike kundër trafikimit të lëndëve narkotike në vend.

Një ditë pasi mori detyrën në krye të Ministrisë së Brendshme, Balla ka shpërndarë në rrjetet sociale një video të policisë së Elbasanit nga operacioni “Rrjeti”, që deri më tani ka çuar pas hekurave 54 persona.

“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar. Përgëzime Drejtorisë së Policisë & Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar ‘Rrjeti’. Pres më shumë goditje si kjo”, shkruan Balla.

Dy pjesëtarë të tjerë të akuzuar si pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave u vunë në pranga sot.

Ata dyshohet se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.

Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdha parash në valuta të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA