Zemra Saimir Sulës që ndërroi jetë në spitalin ‘Del Mar’ të Barcelonës gjatë kohës së pandemisë, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Drejtësisë njofton se ditën e sotme ka përfunduar me sukses procesi për kthimin e zemrës të të ndjerit Sula në Shqipëri.
Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, zemrën e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.
Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.
“Deklaratë: Përfundon me sukses procesi për riatdhesimin e zemrës për të ndjerin Saimir Sula
Në vijim të deklaratës për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me çështjen e kërkesës së znj. Majlinda Sula për kthimin e zemrës së vëllait të ndjerë Saimir Sula, nga Barcelona (Spanjë) në Shqipëri, njoftojmë se:
Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë realizuan me sukses procesin e riatdhesimit të zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë. Ministria e Drejtësisë në cilësinë e koordinatorit të procesit, Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e autoritetit kompetent, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë informojnë mediat dhe opinionin publik se, ditën e sotme ka përfunduar me sukses procesi për kthimin e zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në Shqipëri. Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.
Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.
Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit.
Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë publike të këtij rasti, Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të garantuar riatdhesimin e organit (zemrës). Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka informuar vazhdimisht në mënyrë transparente familjarët, konform kufizimeve ligjore, sekretit hetimor, në kushtet ku çështja është në proces nga Prokuroria e Tiranës.
Ne e mirëkuptojmë emocionalitetin dhe dhimbjen e familjarëve dhe në rastin konkret MD vetëm lehtëson procesin në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Ministria e Drejtësisë ka kryer detyrën e saj në këtë proces si autoritet qendror, me transparencë të plotë, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe humanizmi. Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.
Gjejmë rastin të falenderojmë edhe autoritetet e drejtësisë spanjolle, të cilët kanë përshpejtuar dhe mbështetur deri në realizimin me sukses të riatdhetësimit të organit (zemrës) të të ndjerit Saimir Sula.
Ngjarja ndodhi më 8 maj të vitit 2020 rreth orës 23:00. Pandemia e COViD ishte në fazën fillestare, ndërsa 33-vjeçari shqiptar hyri në Spitalin del Mar në Barcelonë i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test Covid, i cili doli negativ.Atë e futën në ambientet e spitalit, ndërsa motra e tij qëndroi jashtë në pritje të rezultateve. Tetëmbëdhjetë orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, ata kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord.
Majlinda nuk pranoi, sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj që nuk i kishte kur hyri dhe argumentoi se kufoma do të transferohej në Shqipëri, vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.
Familja kërkoi shpjegime nga Hospital del Mar në Barcelonë për arsyet e vdekjes së papritur dhe denoncuan rastin në Barcelonë pasi në Tiranë trupi kishte mbërritur në destinacion pa zemër.
DYSHIME TË ARSYESHME
Motra e viktimës, Majlinda mori raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), të cilët i thanë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga prokuroria shqiptare, Majlinda kërkoi (përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero), një test ADN-je. Të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare. Por as motra e të ndjerit dhe as avokati i tij nuk besojnë se kjo zemër i përket Saimirit.
Kështu edhe sot e kësaj dite familja e viktimës pohon se ende nuk e dinë se çfarë i ndodhi Saimirit atë natë, pse trupi mbërriti në Tiranë pa zemër dhe nga erdhi zemra që i atribuohet Saimirit dhe pse pa një test ADN-je. Gjithashtu në raportin e atij trupi flitet për vdekje nga fundi i prillit, por Saimiri vdiq më 8 maj.
Top Channel