Operatorët turistikë dhe banorët e fshatrave në liqenin e Komanit kanë protestuar sot duke bllokuar tunelin e hidrocentralit.
Ata kundërshtojnë aksionin e policisë që solli bllokimin e varkave me të cilat transportonin turistët.
Banorët thonë se turizmi është bllokuar nga ky aksion dhe në bujtinat e tyre nuk ka më as ushqime.
Një ditë pas aksionit të policisë që pezulloi disa varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës, operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Vau Dejës, Kristian Shkreli.
Ata i kërkuan zgjidhje dhe të mos pengohen në punën e tyre në mes të sezonit turistik. Sipas tyre, varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe me bllokimin e tyre po dëmtojnë ekonominë e shumë familjeve. Nga ana tjetër, Shkreli tha se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do e dërgojë te kryeministri Edi Rama.
Pak ditë më parë policia e Shkodrës bllokoi 13 varka artizanale dhe 1 traget me arsyetimin për mos plotësim të kushteve të sigurisë.
Top Channel