Situata është qetësuar në Koman, pasi operatorët turistikë dhe banorët e fshatrave në liqen kanë protestuar sot duke bllokuar tunelin e hidrocentralit.
Pas komunikimit me banorët nga përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, prej orës 15:00 vijon lëvizja e lirë e turistëve dhe vizitorëve në zonën e Komanit.
Vijon operacioni “Lundrim i sigurtë”, me qëllim bllokimin e varkave pa pajisjet e nevojshme dhe dokumentacionin përkatës.
13 persona të tjerë të cilëve iu bllokuan mjetet lundruese gjatë operacionit kanë aplikuar që të pajisen me dokumentet dhe mjetet e nevojshme.
Koman, Vau i Dejës/Vijon operacioni “Lundrim i sigurtë”, si dhe lëvizja e lirë nëpërmjet tunelit të Komanit për turistët dhe vizitorët që duan të vizitojnë liqenin e Komanit dhe lumin e Shalës. Ndërkohë vijon aplikimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, për pajisjen e mjeteve të lundrimit me çertifikatë lundrimi dhe dokumentacion përkatës. Edhe ditën e sotme ka vijuar monitorimi në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës për kontrollin dhe verifikimin e plotë të dokumenteve dhe të përmbushjes së kritereve të sigurisë (pajisjen e pasagjerëve me jelekë shpëtimi), të mjeteve lundruese në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, si dhe për marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre mjeteve, që kapen në paligjshmëri.
Gjatë ditëve të operacionit, pronarët e mjeteve të lundrimit që ishin pa dokumentacion kanë kërkuar që Policia të mos t’ju bllokonte mjetet e lundrimit dhe paraditen e sotme të ndihmuar dhe nga banorë të tjerë të zonës bllokuan hyrjen në tunel, duke kundërshtuar bllokimin e mjeteve lundruese artizanale dhe të atyre pa dokumenta. Pas një komunikimi me banorët nga përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, prej orës 15:00 vijon lëvizja e lirë e turistëve dhe vizitorëve në zonën e Komanit. Banorët e zonët kanë filluar të aplikojnë menjëherë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare për të çertifikuar mjetet lundruese dhe pajisjet e tyre me dokumentacionin përkatës si dhe marrjen e masave të tjera të sigurisë me qëllim kryerjen e sigurtë të aktivitetit të lundrimit për sigurinë e jetës së turistëve dhe vizitorëve.
Deri në këto momente janë pajisur nga Drejtoria e Përgjithshme Detare me dokumentacion 3 mjete lundruese dhe kanë aplikuar për pajise me dokumentacion përkatës dhe 13 shtetas të tjerë , që iu bllokuan mjetet lundruese gjatë operacionit. Policia e Shtetit thekson edhe një herë se ky operacion ka për qëllim të vetëm sigurinë e jetës së turistëve dhe vizitorëve dhe jo penalizimin e operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë. Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare apelojnë sërish, për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat liqenore, lumore dhe detare që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi. Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.
Një ditë pas aksionit të policisë që pezulloi disa varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës, operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Vau Dejës, Kristian Shkreli.
Ata i kërkuan zgjidhje dhe të mos pengohen në punën e tyre në mes të sezonit turistik. Sipas tyre, varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe me bllokimin e tyre po dëmtojnë ekonominë e shumë familjeve. Nga ana tjetër, Shkreli tha se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do e dërgojë te kryeministri Edi Rama.
Pak ditë më parë policia e Shkodrës bllokoi 13 varka artizanale dhe 1 traget me arsyetimin për mos plotësim të kushteve të sigurisë.
Top Channel