Alarme të kuqe në 15 qytete italiane si pasojë e motit të nxehtë

15/07/2023 09:10

15 qytete italianë janë vendosur në alarm të kuq nga i nxehti ekstrem që po vazhdon të gjunjëzojë Europën Jugore.

Këtë herë paralajmërohet rrezik deri edhe për personat e shëndetshëm. Gjendja e alarmit prek disa zona të konsideruara si magnete të vërteta për turistëtt duke përfshirë Romën, Firencen e Bologën, e do të jetë në fuqi për disa dite.

Temperatura të mundshme rekord priten në kontinentin e vjetër javën e ardhshme me afrimin e një vale tjetër të nxehti. Agjencia Europiane e Hapësirës, ESA, e cila i monitorin temperaturat në tokë e det përmes satelitëve, thotë se Italia, Spanja, Franca, Gjermania e Polonia mund të përballen me kushte ekstreme të motit.

Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Europë është ajo e gushtit 2021 prej 48.8 gradësh Celsius në Sicili, dhe parashikimet janë që nivele të ngjashme të mund të arrihen dhe këtë javë. Për shkak të temperaturave të larta, moderatori austriak, Armin Wolf, bëri një veprim të papritur në fund të edicionit informative.

Ai mori një shishe me ujë dhe e hodhi mbi kokë, me qëllim që të freskohej. Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale, ndërsa shumë ndjekës e përshëndetën gjestin e tij duke thënë se po përballen vërtet me një të nxehtë gati të papërballueshëm.

Termometri këto ditë atje ka shënuar mbi 40 gradë celsius. Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu së fundi edhe SHBA-në pritet të përkeqësohet gjatë fundjavës me 90 milionë njerëz në rrezik, sipas CNN, që paralajmëron se  temperaturat më të larta mund të regjistrohen në rajonet perëndimore.

Në Arizona ku temperaturat nuk zbresin prej ditësh nën 43 gradë, Shërbimi Kombëtar i Motit i Phoenix foli për “një nga sistemet më të forta të presionit të lartë që është parë ndonjëherë në këtë zonë. Një sërë rekordesh janë vendosur në Shtetet e Bashkuara që nga qershori dhe të tjera mund të vendosen këtë fundjavë me temperaturat që pritet të arrijnë 54 gradë në Death Valley, Kaliforni, vendi më i nxehtë në tokë.

Periudhat e të nxehtit ekstrem ndodhin zakonisht brenda modeleve natyrore të motit, por në nivel global ato po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po zgjasin më shumë, e kjo sipas ekspertëve i detyrohet efektit serë.

Top Channel