Bregdeti ndonëse është një zgjedhje mjaft e mirë për të përballuar temperaturat e larta të korrikut, kërkon edhe një kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve.
Vetëm një ditë më parë, një 66-vjeçar nga Elbasani humbi jetën në plazhin e Golemit sapo ra në kontakt me ujin. Mjekët dyshojnë se pësoi arrest kardiak.
Hyrja direkt në ujë sidomos pas qëndrimit në diell për një kohë të gjatë, e sidomos në këto temperatura mjaft të larta me të cilat po përballet vendi ynë, nuk është e rekomandueshme, pasi bëhet shkak për komplikimin e gjendjes shëndetësore. Kjo vlen për të gjitha moshat, e më së shumti për të moshuarit.
“Do sugjeroja qe ne te mundohemi te qëndrojmë në hije dhe çdo 10-20 minuta te frekuentojmë pjesën e ujit. Aty duhet te kujdesemi duke qenë se temperaturat janë ekstreme nga i ngrohti te uji i ftohtë. Temperatura e trupit është shume e larte kurse e ujit në ato momente është më e ulët. Duhet të fillojmë të lagemi avash avash, të lagim trupin, pjesën e kraharorit, pjesën e cervikales dhe të fundshpinës dhe gradualisht të hyjmë në ujë duke notuar dhe duke u aktivizuar”-shprehet trajneri i motit, Eduart Cane.
E rëndësishme gjatë kësaj periudhë të nxehtë është hidratimi, ndaj rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve por edhe evitimi i orëve të pikut.
“Të evitoje oraret qe dielli ndodhet në pikun e vet pra nga ora 12 deri në 4 ose 5. Nuk duhet të qëndrojmë shumë në ujë, 10 minuta janë mjaftueshëm, të qëndrojmë në hije dhe të qëndrojmë të hidratuar duke konsumuar sa më shumë lëngje”.
Ekspertët këshillojnë që në rastet kur pushuesit nuk ndjehen mirë të dalin nga uji dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Top Channel