Jo vetëm si korridor ku lëvizin qindra kilogramë drogë të llojeve të ndryshme por nga viti në vit në Shqipëri po shtohen shpërndarësit dhe përdoruesit e drogës.
Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti policia ka evidentuar 1515 raste që lidhem me veprat penale të drogës.
Vetëm për veprën penale të shpërndarjes dhe prodhimit të drogës në të gjithë vendin janë evidentuar 1227 raste ose thënë më thjeshtë çdo ditë në Shqipëri 7 persona kapen nga policia duke shitur ose prodhuar drogë. Vetëm në Tiranë deri në fund të qershorit për këtë vepër penale janë arrestuar 180 persona si dhe jane proceduar në gjendje të lirë 650 të tjerë.
Mosha e të arrestuarve është e re kryesisht nga 18 deri në 40 vjeç. Ndërsa përsa i përket shpërndarjes nuk mund të flasim për një hartë konkrete pasi janë pothuajse kudo që nga lagjet, shkollat, parqet e deri tek lokalet dhe ambientet e argëtimit.
Pavarësisht arrestimeve të shpeshta dhe operacioneve me dhjetra të arrestuar asnjë prej këtyre lokacioneve të njohura si vende të shpërndarjes së drogës nuk quhet I pastruar nga ky fenomen. Grupet kriminale që merren me këtë aktivitet rekrutojnë shitës të tjerë kryesish përdorues ose përdorin sërish të njëjtin rrjet pasi të arrestuarit për shkak se rezultojnë dhe konsumatorë droge fitojnë lirinë për pak kohë.
Për masivitetin e përdorimit të drogës flasin dhe shifrat e policisë rrugore të cilat prej muajsh përdorin aparaturën aquilascan. Në vetëm 6 muajt e parë të vitit rreth 100 shoferë janë kapur nën efektin e drogës.
Top Channel