Për vitin akademik 2023-2024 për studentët që do të regjistrohen në degët prioritare nuk do të jetë më e nevojshme mesatarja 8.5.

Për më tepër ata do të përfitojnë bursë prej 40 mijë lekësh në muaj. Por me kushtin që pas diplomimit të japin kontribut për vendin për të paktën 3 vite.

Ky është vendimi i qeverisë për të nxitur studentët që të zgjedhin degët të cilat kanë rëndësi kombëtare por në vitet e fundit kanë pasur numër mjaft të ulët regjistrimesh.

Në fletoren zyrtare është publikuar edhe lista e plotë me 40 degët që janë cilësuar si me prioritet. Në të është shtuar edhe arsimi parashkollor dhe fillor, dega Histori-Gjeografi si dhe disa inxhinieri.

UBT ka dhe numrin më të lartë të degëve prioritare për shkak se sektori i bujqësisë konsiderohet si kryesor për ekonominë shqiptare.

“Fakti që Universiteti Bujqësor ka numrin më të madh të degëve është i ligjshëm sepse është sektori kryesor i ekonomisë shqiptare dhe nuk kishte si te ndodhte ndryshe. Qeveria shqiptare dhe ministria e Arsimit ka bërë të mundur që për UBT të përcaktojë rreth 15 programe mësimore që konsiderohen programe me prioritet kombëtar. Bëhet fjalë për programin ose profesionin e agronomisë, të zoteknisë, të peshkimit dhe agrokulturës, mbrojtje bimësh, holtikulturë, menaxhimi i burimeve natyrore, inxhinieri e pyjeve, inxhinieri e përpunimit të drurit, teknologji agroushqimore, turizëm rural dhe mjekësi veterinare”, tha Fatbardh Sallaku, rektor i UBT.

Ndonëse janë degë që kanë kërkesa të larta për punësim, nga ana e studentëve shqiptar ka pasur interes të ulët për to.

“Ne shpresojmë shumë që kjo masë mbështetëse financiare të ndikoje pozitivisht. Fatkeqësisht gjimnazistët janë paksa skeptik në lidhjeje me programet qe ofrohen në fushën e bujqësisë, është e ligjshme deri diku sepse bujqësia është një sektor paska i vështirë, bëhet fjalë sot një specialist duhet të jetë në fermë, duhet të jetë në serë, pranë platancioneve, pranë stallës së blegtorisë por nga ana tjetër është një profesion që është i të ardhmes, është një diplomë që vendin e punës e ke të garantuar”, shtoi Sallaku.

Ministria e Arsimit do të shpërndarë kuotat në Universitet përkatëse dhe do jetë rektorati që do të bëjë ndarjen e tyre për çdo program.

Top Channel