Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për emërimin e Taulant ballës Minmistër të Brendshëm.
Me shumë gjasa të enjten në parlament, do të votohet dekreti për emërimin në krye të Ministrisë së Brendshme të Taulant Ballës, pas shkarkimit të Bledi Çuçit.
Ndryshimi i beftë në qeveri në këto ditë të nxehta ndodhi për shkak të skandalit ndërsa të afërmit e një deputeti socialist rrahën barbarisht dy banorë të Borizanës në Krujë. Çuçi iku nga detyra bashkë me deputetin Rrahman Rraja i cili dje i dorëzoi Taulant Ballës dorëheqjen nga mandati i deputetit. Kryeministri Rama nuk vonoi, por emëroi për ministër të Brendshëm kreun e grupit kuvendor socialist, Taulant Balla.
Balla është deputet i Qarkut Elbasan dhe drejtues politik për Partinë Socialiste në qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e 2017 dhe 2021 si për socialistët, por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.
Balla ka hyrë në politikë që në moshë të re, ka përfunduar studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, për t’ju bashkuar kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano 2003-2005. Prej vitit 2005 e deri ne 2013 ishte një nga emrat kryesore te aksionit opozitar socialist.
Pas fitores së zgjedhjeve të 2013-të nga socialistët Balla vijoi aktivitetin si drejtues politik dhe si drejtues i grupit parlamentar socialist në kuvend. Ai ishte i vetmi drejtues i lartë socialist që deri dje nuk kishte mbajtur asnjë post ministror.
Në rolin si kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ishte edhe zëri kryesor i mazhorancës në kuvend në përballjet e vështira me opozitën në Kuvend, por edhe në sigurimin e votave mbështetëse për miratimin e ligjeve apo vendimeve te rëndësishme.
Opozita nuk i ka kursyer asnjëherë sulmet ndaj Taulant Ballës, por duhet theksuar fakti se në shumicën e rasteve Taulant Balla i ka ndjekur këto akuza në Gjykatë dhe Prokurori, ku dhe ka fituar deri më tani në disa raste, ku kujtojmë rastin ndaj ish-kryetarit të PD Lulzim Basha, i cili u dënua nga gjykata për shpifje.
Emërimi i Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme si një figurë e rëndësishme politike tregon se PS kërkon një ndryshim të madh në këtë sektor të vështirë, ku dhe pritshmëritë e qytetarëve janë shumë të larta.
Top Channel