Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin lidhur kërcënimeve që ka marrë në rrjetet sociale një familjar i Bilbil e Jashar Majës, të cilët u dhunuan barbarisht pak ditë më parë në Borizanë.
Pas kallëzimit të 43-vjeçarit, Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për veprime të mëtejshme procedurale.
Më herët, Top Channel raportoi se këto mesazhe janë dorëzuar në policinë e Fushë Krujës dhe pritet që prokuroria e Tiranës të nisë hetimet. Mesazhet janë dërguar me adresa false të cilat po hetohen nga agjentët e krimi kibernetik të kryeqytetit.
Gjatë kësaj fundjave, policia ka ushtruar disa kontrolle për arrestimin e 6 personave ende në kërkim për dhunimin e Bilbil e Jashar Majës, por ende pa rezultat. Ende në kërkim për ngjarjen vijojnë djali i deputetit Rexhep Rraja si dhe Petrit, Xhelal e Flamur Rraja si dhe 2 të afërm të tyre. Një ditë më parë gjykata la në masën e sigurisë arrest me burg Ineid e Andi rrajën si dhe Eni Kullajn, të arrestuar të nesërmen e ngjarjes, ndërsa pronari i lokalit u la në masën detyrim paraqitje.
Nga ana tjetër, prokuroria e kryeqytetit po kryen hetimet mbi kallëzimet e kryera që në maj nga banorët e Borizanës për shkatërrim prone, pasi shtëpitë e tyre kanë pësuar krisje nga shpërthimi i minave në gurore. Pikërisht për këtë mosmarrëveshje të adresuar autoriteteve muaj më parë ndodhi dhe konflikti në një lokal paraditen e 6 korrikut.
Top Channel