Zbardhen disa nga episodet korruptive, për të cilat Arben Ahmetaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas dosjes hetimore që SPAK i ka nisur Kuvendit, shumat e konsiderueshme të parave, që janë paguar në mënyrë të tërthortë nga biznesmenët e inceneratorëve, që dyshohet të jenë përfituar nga Ahmetaj.
170 mijë euro, është episodi i parë i regjistruar në vitet 2016-2017. Ajo është paraqitur si pagesë ndaj shtetasve A. M. dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një shitjeje fiktive ndaj një personi tjetër të dy apartamenteve 124 dhe 148 metër katrorë në Selitë. Shumat u paguan nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
“Shumën prej 170,480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në 2 apartamente ne sip.124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Një vilë me sipërfaqe 98 m2 në Hamallaj dhe 521 m2 sipërfaqe truall është episodi i dytë që ka hetuar SPAK, sipas të cilës është përfituar nga ish-numri dy i qeverisë prej Klodian Zotos e Mirel Mërtirit tërthorazi. Skema e përdorur është përmes transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Klodian Zotos dhe në vijim në emër të G. K., e më pas në pronësi të bashkëjetueses së ish-zv/kryeministrit, Eriola Hoxha.
“Pasurinë truall+ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqa 26 ZK 1925 me sip tualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë në nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”.
Rasti i tretë ka të bëjë me një shumë prej 130 mijë euro, e cila në vitin 2017 dhe 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit është paraqitur si pagesë e bërë për llogari të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, Albina Maçka dhe ish-zv/kryeministrit përkundrejt një shitjeje ndaj shtetasit B. P. të një apartamenti me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazhi në Selitë. Kjo vlerë është paguar gjithashtu nga Zoto-Mërtiri dhe shoqëria “Integratet Technology Servises”, përmes shtetasit B. P.
“Shumën prej 130,000 euro në 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sip, 178.68m2 dhe një garazhi me sip 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Dhe subjekti tregtar ITC sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti”.
Rasti tjetër ka të bëjë me 140.000 euro në vitin 2018, me një pallat në zonën e Selitës. Vlera monetare u paraqit si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sip 178.68 m2 dhe një garazhi me sip 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292 në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k vlerë e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p,k.
34.422 euro të tjera janë përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesave të hoteleve e udhëtimeve përgjatë periudhës 2013-2017. Këto pagesa janë kryer për Ahmetajn dhe të afërm të tij.
Episodi tjetër është një apartament 167 metër katrorë në rrugën Reshit Çollaku në pronësi të ish-ministrit. Në formën e pagesave të kryera ndaj subjekteve tregtarë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shoqërisë “Integrated Technology Services”, dyshohet se Ahmetaj ka përfituar mbi dy milionë lekë gjatë vitit 2019 dhe 2020.
Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion depozitoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për marrje autorizimi për arrestimin/ heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.
Top Channel