Postieri i SPAK përpara mbarimit të orarit zyrtar të premten, depozitoi në kryesinë e Kuvendit këtë kërkesë për marrje autorizimi nga kuvendi për arrestimin/ heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.

Kërkesa me firmën e kreut të SPAK Altin Dumani, ndryshe nga kërkesa të ngjashme siç ishte ajo për Alqi Bllakon, ka një specifikë të veçantë e aplikuar për herë të parë prokuroria e posaçme.

“Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr 277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të impilikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet dhe imunitetin të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura.”

Mësohet se kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla kërkesën ia ka kaluar këtij këshilli dhe urdhëruar për t’u mbledhur pasditen e së martës 11 Korrik ora 16:00. Dy janë skenarët për këtë proces heqje imuniteti të ish zëvendës kryeministrit deputetit Arben Ahmetaj.

Skenari i parë:  Arben Ahmetaj heq dorë vullnetarisht nga mandati.

Skenari dytë:  Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet nga ku Ahmetaj mund të marrë pjesë apo të ketë përfaqësuesin ligjor sipas dëshirës.

Ky këshill formulon dhe e dërgon relacionin i cili duhet të votohet në kuvend. Në momentet kur kuvendi konfirmoi marrjen e kërkesës së SPAK, në kryesinë e kuvendit Taulant Balla mbase për herë të fundit drejtonte mbledhjen e grupit kuvendor socialist. Pak metra më tutje në vilën qeveritare 31 kryeministri Edi Rama vijoi normalisht agjendën e ditës së tij të punës.

Gazment Bardhi kryetar i grupit parlamentar të PD i dorëzoi kryetares të kuvendit këtë kërkesë për ti vënë në dispozicion materialet e dërguara nga SPAK dhe thirrjen pa asnjë vonesë të Këshillit për Rregulloren mandatet dhe imunitetin.

Koha kur SPAK e dorëzoi kërkesën është e mirë-kalkuluar pasi seanca e fundit e parlamentit për këtë legjislaturë  nga ku duhet votuar heqja imunitetit të Arben Ahmetajt,  është 20 Korrik.

Top Channel