Babai me dy djemtë e mitur humbën jetën tragjikisht këtë të diel në plazhin e Vilë Bashtovës. 

Elvis Halilaj dhe dy fëmijët e tij 15 dhe 13 vjeç u rrëmbyen nga rrymat detare pranë grykëderdhjes së Shkumbinit.

Ishin pushuesit ata që dhanë ndihmën e parë, ndërsa sipas dëshmitarëve, ambulanca shkoi me vonesë në vendngjarje.

“Kishte dallgë, sapo erdhëm në mëngjes e pamë që kishte dallgë, fëmijët tentonin shumë të hynin, më erdhi e papritur se vetëm një moment pamë që një ndër personat që ishin aty ngriti dorën dhe në atë moment u turrëm, isha aty afër, ishte një me kajak, u turrëm dhe i kapëm, i nxorëm në breg i shtrimë, menduam se ishte një, kur pamë që ishin tre veta, ai babai ishte i bëshëm mezi e nxorëm, i nxorëm në breg dhe kush mundi nisi t’i bënte masazh”, tha njëri prej personave që u erdhi në ndihmë.

“Pamë  një gjë të zezë, bënë masazh njerëzit, mezi erdhi një ambulancë, kur dolën nga deti ishin të vdekur, po bënë shumë masazh, na erdhi shumë keq për ta, hynë pushues dy tre, hyri ai plaku me atë varkën, duhet të jenë këta të shpëtimit, ka shumë dallgë sot”, tha një pushuese.

“Nëse edhe më shpejt nëse do të kishte pasur ndihmë mjekësore edhe do të ishte evituar, pashë që u sensibilizua e gjithë shoqëria aty, por ishte e kotë”, tha një tjetër.

Policia e Durrësit në njoftimin zyrtar thotë se shërbimet e Njësisë Policore Detare ndërhynë por ishte tepër vonë. Në këtë plazh nuk ka rojë, tregojnë pushuesit, ndërsa në vend të kullës së vrojtimit është vetëm një skelet.

Pushuesit e tjerë thonë se nëse do kishte roje ata ndoshta do kishin shpëtuar.

“Ambulanca nuk hyri fare, i mori me mbulesa të tre i çuan atje, pasi pritën 20 minuta”, tha pushuesi.

“Nuk ka roje bregdetare, dy veta duhej të kishin shpëtuar po të ishte ndihma e shpejtë”, tha një tjetër.

“Mund të kishin shpëtuar, kush do ti shpëtonte ne? Ne nuk dimë not, të gjithë këta që kanë vënë shezllonët, pse nuk ka roje? Sapo e montuan tani ata, atë pjesën se nuk ishte fare”, u shpreh pushuesja.

Edhe në plazhin e Shëngjinit këtë të diel një tjetër pushuese kosovare rrezikoi jetën duke u bërë rasti i tretë në të njëjtën zonë që i shpëton mbytjes brenda një jave.

Top Channel