Talibanët ‘mizorë’ mbyllin sallonet e flokëve dhe të estetikës, për ‘përmirësimin e grave’ në Afganistan (fotot)

05/07/2023 16:36

Pasi lideri suprem i Afganistanit Hibatullah Akhundzada tha se qeveria do të marrë “hapat e nevojshëm për përmirësimin e grave në vend”, qeveria Talibane ka mbyllur sallonet e flokëve dhe të bukurisë.

Tashmë parukeritë dhe dyqanet e estetikës në të gjithë vendin kanë një muaj kohë për të mbyllur aktivitetin, sipas ministrisë vendase të “Parandalimit të Vesit dhe Përhapjes së Virtytit”, shkruan Dailystar.

Zhvillimi vjen pas masës së ndalimit të studimit të grave në universitet, në disa vende pune dhe hapësira publike, sipas zotimit të qeverisë për politika të përmirësimit të tyre.

Njoftimi i ministrisë nuk jepte arsyet e sakta të masës por duket se vjen disa ditë para pretendimeve të zyrtarëve për hapa drejt një jete ‘më të rehatshme” për gratë në vend.

Lideri i Afganistanit Hibatullah Akhundzada tha mes të tjerash se hapat do t’u “japin grave një jetë më të rehatshëm e të lulëzuar sipas ligjit islamik Shariah”.

Pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi në 2021 sallonet e bukurisë mbetën të hapura, por me kufizime strikte si veshja e dritareve nga jashtë dhe ndalimi reklamave me fytyra femrash.

Një grua e ve pronare salloni tha për rrjetin Associated Press se puna e saj ishte burimi i vetëm për familjen dhe kufizimet i dëmtonin biznesin.

“Çdo ditë Talibanët vendosin kufizime ndaj grave. Përse i kufizojnë gratë ata, a nuk jemi njerëz, nuk kemi të drejtë të punojmë apo të jetojmë?”

Ndërsa një tjetër tha: “Duket se Talibanët nuk kanë plane të tjera politike përveçse të fokusohen në trupin e grave, ata përpiqen t’i eliminojnë ato nga çdo aspekt i jetës publike”.

Qeveria kishte deklaruar më herët se do të tregohej më tolerante ndaj grave se ajo pararendëse, por tashmë gratë janë ndaluar nga parqet apo banjot publike, palestrat e klubet e sporteve.

FOTO GALERI
1/3
Tashmë parukeritë dhe dyqanet e estetikës në të gjithë vendin kanë një muaj kohë për të mbyllur aktivitetin, sipas ministrisë vendase të “Parandalimit të Vesit dhe Përhapjes së Virtytit”

Top Channel