​Kurti pas takimit me Lajçak: Masat ndëshkuese të BE-së e bëjnë dialogun asimetrik

04/07/2023 21:12

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.

Sipas deklaratës së Qeverisë, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim.

“Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve.

Në lidhje me rrugën përpara, kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore. Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, tha ai.

Ndërsa Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.

Ai shtoi se me kryeministrin Kurti i kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre dhe se “kanë rënë dakord që procesi të vazhdojë”.

Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt“, tha Lajçak.

BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Burkseli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA