Rritja ekonomike ishte 2.7% në tremujorin e parë të vitit.

Shifrat janë optimiste duke marrë parasysh inflacionin dhe krizën energjetike që shoqëroi vendin vitin e kaluar. Rritja u nxit kryesisht nga aktivitetet e pasurisë së paluajtshme dhe ndërtimi, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve.

Rritja në tremujorin e 2023-it është më e ulëta që nga periudha e pandemisë, duke ndalur disi hovin e rimëkëmbjes. Ndërtimi dhe shitblerja e pronave e rriti me 1.2% ekonominë në tremujor. Pjesa tjetër ka ardhur nga aktivitetet e shërbimeve, në bar-restorante, hotele ose nga sektori i tregtisë, që gjithashtu kontribuan me rreth 1%. Teknologjia e informacionit që është fokusi kryesor i qeverisë pati rritje me vetëm 0.19%.

Nga krahu tjetër taksat mbi produkte janë ulur me 0.38% duke dhënë më pak kontribut në rritjen ekonomike së bashku me aktivitetet shkencore dhe profesionale.

INSTAT raporton se konsumi i popullatës u rrit me 3% gjatë tremujorit, i qeverisë me 4.34%, ndërsa dhe eksportet dhe importet patën gjithashtu rritje.

Qeveria pret të gjallërojë konsumin në pjesën e mbetur të vitit me reformën e pagave që ka ndërmarrë, ndërsa nga krahu tjetër në buxhet vërehet një suficit rekord që nuk po harxhohet për investime në ekonomi. Në vlerësimin e fundit, FMN pret që ekonomia jonë të rritet me 3%, me turizmin që pritet t’i japë një hov të ri gjatë tremujorëve të mbetur.

Top Channel