Mbi 19 mijë fëmijë të rrëmbyer nga Rusia! “Exclusive” rrugëtim në Ukrainë: Mes robërve të luftës, një foshnjë 1 muaj e gjysmë

02/07/2023 21:13

Deri në fund të majit 2023, sipas të dhënave zyrtare, 19,486 mijë fëmijë janë rrëmbyer nga Rusia. Megjithatë, sipas të dhënave jozyrtare, bëhet fjalë për gati 700 mijë të mitur ukrainas, pasi vetëm në Mariupol kishte rreth 100 mijë fëmijë.

Ekipi i emisionit “Exclusive” së bashku me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, gjatë vizitës në Ukrainë mësojnë se deri më sot janë kthyer vetëm 369 fëmijë të rrëmbyer.

Ndarja e fëmijëve ukrainas nga familjet e tyre ka çuar në ngritjen e akuzave për krime luftë ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për krime lufte ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Maria Alekseyevna Lvova-Belovas, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, lidhur me dyshimet për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase drejt Rusisë.

Autoritetet e Kievit thonë se trupat ruse kanë marrë me forcë mijëra fëmijë ukrainas duke i zhvendosur në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Moska.

“Kur lufta nisi, unë përfaqësoja autoritetet lokale dhe të gjithë ne, dhe duke përfshirë edhe ata që përfaqësojnë punonjësit në mjekësi, u kthyem në vullnetarë. Mes gjërave më të rëndësishme ishte që tu mundësonim popullsisë, ushqim dhe mjekime. Mora një telefonatë nga pika e kontrollit që më pyeti “ku isha”.

Iu përgjigja që kisha marrë bukën dhe do më duhet të shkoja në një fshat tjetër, mora një përgjigje që duhet të fshihesha për 10 minuta. Kudo që mundesha. Dhe se më duhet të kthehesha mbrapsh në fshatin. Brenda pak sekondash strehimi nisi. Kur strehimi përfundoi dhe shoferi u kthyem tek fshati dhe ndërkohë që po udhëtonim pamë që disa pemë i kishin prerë. Fatmirësisht ne mbijetuam, shumë mjete u qëlluan. Në atë moment ne nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte. Qyteti i parë që pushtuan ishte Zoloten. Atyre ju desh vetëm një orë që të mbërrin Jahidne. Në të gjithë fshatin mbërritën makina ushtarake dhe ushtarë dhe nga 3 deri në pesë mars, ata i morën të gjithë njerëzit dhe i detyruan që të futeshin në bodrum. Komuniteti im kishte 17 baza strehimi, 10 prej tyre u futën nën pushtim, dhe fshati me 367 njerëz që i morën dhe i futën në këtë bodrum. Dhe ky bodrum ishte 197 metër katrorë, as gjysmë metri për person”- tha Elena Shyetka.

Në derën e shkollës për fëmijë tanimë është vendosur një tabelë që kujton se nga marsi deri në tre prill të 2022, më shumë se 300 banorë u mbajtën robër nga pushtuesit rusë. Mes robërve, mosha me e re ishte një foshnjë 1 muaj e gjysmë dhe më i moshuari 93 vjeç. 11 të burgosur vdiqën nga asfiksia dhe nga sëmundjet.

“Ajo që duhet të kuptoni është se njerëzit që po qëndrojnë përpara jush kanë qenë mes atyre që u strehuan nën tokë gjatë pushtimit dhe po e ndajnë këtë përshtypje me ju”- tha një qytetar.

Gazetarja Hoxha raporton se banorët qëndruan të izoluar brenda kësaj ndërtese për 26 ditë, teksa në hyrje të saj ishin të instaluara forcat ushtarake ruse.

“Kam pesë fëmijë. Si dhe mbesën e moshës 1-vjeçare. Këtu kishte fëmijë 11 vjeç dhe më të vegjël. Këtu ishte një grua e moshuar që ishte e mbyllur bashkë me ne, ajo nuk mund të ulej. Ishte e plagosur dhe në vështirësi. Kishim një person të sëmurë me kancer që nuk po kurohej. Nëse mund ta kuptoni, kemi patur situata të vështira. Mbesa ime pati temperaturë. Përgjatë tre katër ditëve, nuk kishim mundësi ta kuronim dhe ti ulnim temperaturën. Ka patur fëmijë të tjerë edhe në dhomat e tjera të këtij bodrumi nën shkollë. Në dhomën ngjitur me ne ishte një fëmijë me sindromën dawn. Ai kishte nevojë për trajtim.

Në total ishin 70 fëmijë, vetëm në këtë ambient. Të gjithë kolleshin dhe kishin temperaturë. Mezi merrnim frymë sepse ky ambient këtu, nëse shikoni edhe muret janë me lagështirë. Tani jemi në stinën e verës dhe jashtë është nxehtë, por këtu siç e shikoni është ftohtë. Në atë kohë, kur na futën brenda, ishte ngricë, nuk kishte ngrohje dhe ishte akull. Ne nuk kishim të drejtë të dilnim jashtë, nëse donim të merrnim ajër, në varësi të humorit të atyre, mund të lejoheshim për në tualet. Nëse ata nuk ishin me humor të mirë, njerëzit nuk lejoheshin as në tualet. Kështu që ne krijuam tualet të improvizuar në bodrum, duke përdorur shishet plastike. Kishte persona që nuk mund të shtriheshin sepse nuk kishte hapësirë dhe duhet të rrinin ulur. Natën kur shtriqeshim apo lëvizeshin duart apo këmbët, kjo realizohej me ndihmën e personit që ishte ngjitur. Literalisht, mbas një dite që njerëzit u futën në këtë strehim nga ushtarët, filloi të nxehej nga mbipopullimi”- tha Ludmilla Kaduka.

Problemi ishte se kishte shumë njerëz , dhe nga fillimi që ishte ngricë, por pastaj nuk kishte më ajër dhe njerëzit kishin probleme me frymëmarrjen. Po ta shikoni këtë numër në hyrje të derës, u shkrua që se sa njerëz kishte aty, sa fëmijë e sat ë rritur. Çdo derë ka shenja të tilla. Njerëzit ishin të lejuar që të organizonin kuzhinën, por lejohej të gatuanim në çdo kohë, kur donim”- tha Elena, një tjetër banore.

Ja shikoni, tani jemi në bodrum dhe ka dritë. Por ato ditë, s’na lejuan asgjë. As qirinj. Krijuam provizorisht me mjete rrethanore për dritë ç’të mundnim, që ti përdornim për pak çaste sa të bëhej pak dritë që t’u jepnim ushqim fëmijëve. Pjesa tjetër gjatë gjithë kohës ishte vetëm errësirë”- tha Ludmilla Kaduka.

“Shumë njerëz ishin në këtë hapësirë. Po kalonim probleme me frymëmarrjen, ishte aq e vështirë të merrje frymë. Nuk kishim më ushqim. Ishte shumë e vështirë për njerëzit e moshuar. Ishim gati duke vdekur, kjo ishte e dukshme për të moshuarit. Nuk lejohet të dilnim. Jashtë bodrumit ishte një si shtëpi,  që kishte ngrohje dhe të moshuarit që ndërruan jetë, ushtarët morën trupat. Ishin tre katër trupa këtu afër meje, që i morën dhe i nxorën jashtë. Njerëzit që i çuan në varreza, kur u kthyen në bodrum tek ne, vërejtëm se ishin të plagosur dhe ata. Ishin kushte të vështira, por veçanërisht për fëmijët që u sëmurën. Nuk i mbaj mend e fëmijëve që u sëmurën, por disa prej tyre kishin temperaturë të lartë dhe nuk kishim ilace për tu ulur temperaturën. Kur pyesnim ushtarët të nxjerrim fëmijët jashtë vetëm sa të marrin frymë, ata na u përgjigjën: çfarë doni jeni në luftë”- tha Ivani, një tjetër banor.

Sipas Ivanit, “Shumë nga fëmijët shkruan dhe pikturuan në mure, u shkrua një kalendar që vendosej edhe vdekja e njerëzve, që numëroheshin, dhe që rusët i morën. Njerëzit që ishin këtu, asnjëri nga ne nuk e dinte se çfarë ishte jashtë, ishte ditë apo ishte natë. Dhe në çdo dhomë ka kalendarë të vizatuar dhe çdo familje ka historinë e saj për të treguar.”

“Do ta mbyll duke thënë se në komunitetin tim kam shtatë fshatra dhe asnjëri nga banorët nuk pranoi të bëhej bashkëpuntor. Një ditë një nga ushtarët rusë solli një gazetë dhe na tha nëse do ta mësoni përmendësh himnin, ju do dilni tani. Asnjë person i vetëm nuk pranoi ta bënte. Ne mbijetuam”- tha Elena Shyetka.

“Kjo kishë është ndërtuar shekullin e 18  dhe rikonstruktua në shekullin e 20. Fshati ynë I vendosur shumë larg rrugës kryesore Kiev – Chernihev. Ne këtu brenda ishim të mbrojtur me 64 ushtarë, kishim dy batalione taktike. Rusët po na sulmonin mbasi erdhën me automjete dhe ishin mbi 500 ushtarë. Ne luftuam për tre ditë. Nga datat 7-8 deri 9 mars. Sulmet vinin nga tre drejtime, nga lindja, jugu dhe perëndimi dhe 19 nga ushtarët tanë u vranë aty. Gjatë këtij pushtimi rusët vranë 11 civilë. Dy fëmijë, njëri tetë vjeç dhe tjetri dhjetë vjeç. Ky fshat ka 150 ndërtesa, 41 prej tyre u shkatërruan plotësisht dhe u rrënuan komplet, pjesa tjetër u dëmtua. Kur rusët erdhën vendosën të përdorin këtë kishë si bazë , dhe duke qenë se muret e kishës janë të trasha përmbi një metër , ata menduan se mund të fshiheshin pas tyre dhe mund të ishin të mbrojtur. rusët humbën 32 mjete ushtarake. Brenda në kishë, fluturonin predhat”- Grigor Tkashenko, banor i Lukashinka.

Grigor Tkashenko tregon për Top Channel dëmet e fermës së tij.

“Flamuri ishte në majën e godinës më të lartë që ne kemi, neve na u dha urdhër që ta hiqnim flamurin. Ata hapën zjarr dhe ndaj ndërtesës dhe flamuri ra . Ne e gjetëm e sërisht”- tha Tkashenko.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kthyen Buchan nënjë simbol të drejtësisë… Ne duam që çdo vrasës, xhelat, terrorist rus të mbahet përgjegjës për çdo krim. Atë që ndodhi në Bucha, ushtria ruse e bën kudo që shkon. Tragjedia e Buçës ilustron dhunën sistematike gjenocidale, e cila është thelbi i veprimeve ruse në të gjitha territoret e pushtuara ukrainase”- do të shprehej më herët presidenti ukrainas Vlodimyr Zelensky.

Presidentja e KE-së, Von der Leyen gjatë vizitës së saj në Kiev tha se: “Së bashku, ne do të mbështesim Ukrainën jo si kombe individuale, por si një komunitet i koordinuar dhe i organizuar nën një Platformë novatore. Një platformë që do të kanalizojë mbështetjen për reformat dhe prioritetet që do ta bëjnë imagjinatën realitet. Sot, ne jemi mbledhur këtu për t’u thënë ukrainasve se ëndrra e tyre është edhe ëndrra jonë. Në janar, ne krijuam Platformën e Koordinimit të Donatorëve me shumë agjenci. Është e para e  këtij lloji në historinë e ndihmës ndërkombëtare. Ajo bashkon Ukrainën, G7-ën, BE-në, Bankën Evropiane të Investimeve, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, FMN-në dhe Bankën Botërore. Krijon një pikë të vetme fokusi për donatorët ndërkombëtarë për të garantuar që mbështetja të shkojë pikërisht aty ku Ukraina ka nevojë për të. Komisioni Europian po kontribuon me 18 miliardë euro tashmë këtë vit. Së bashku me donatorët e tjerë, ne mbyllëm boshllëkun buxhetor të Ukrainës për vitin 2023, në mënyrë që ukrainasit të mund të vazhdojnë të paguajnë pagat, pensionet dhe kujdesin shëndetësor.”

Mes sirenave për rrezikun e bombardimeve megjithatë, dhe hijes së luftës, në Kiev jeta vazhdon. Në qendër të Kievit gjen njerëz nëpër lokale, punime në rrugë dhe flamuj që valeviten.

Në mbrëmje për arsye të shtet-rrethimit rrugët janë bosh. Askush nuk duhet të dalë jashtë. Ne zbresim mbas alarmit në bodrumin e hotelit të kthyer në një vendstrehim.

Sakaq në Rusi mosmarrëveshjet e Grupit Wagner dhe ushtrisë ruse të acaruara gjatë kësaj lufte kulmuan me kryengritje gjatë fundjavës. Ata marshuan në dukje të pakundërshtuar për qindra milje drejt Moskës përpara se të ktheheshin pas, në më pak se 24 orësh të shtunën. Në një fjalim drejtuar vendit, presidenti rus Vladimir Putin kritikoi organizatorët e rebelimit nga grupi Wagner duke i quajtur “tradhtarë”.

Ndërsa vazhdon të mos e pranojë se sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje, i nisur në 24 shkurt 2022, është një luftë, duke e konsideruar atë një operacion special ushtarak për çmilitarizimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA