Shteti nuk është vetëm pushteti qendror dhe ai lokal. “Ne mund ta shohim shtetin në gjithçka që na rrethon, në rrugë, në shkollë, në polici, në gjykatë”, thotë studiuesja Theresa Paola Stawski. Por sa mirë funksionojnë shtetet në botë?

Pas një studimi të detajuar, Universiteti gjerman i Würzburgut rendit 173 vende, nga shteti që funksionon më mirë te më i dobëti.

Në vend të parë, qëndron Singapori! Ndonëse nuk është vend demokrat, sipas politologes Stawski, shteti funksion në nivelet më të larta.

Indeksi i ri shtrihet në një periudhë prej 72 vitesh, konkretisht nga viti 1950 deri në vitin 2022. Analiza e shteteve fokusohet në monopolin e shtetit mbi ligjin, dhunën dhe administrimin e përgjithshëm, por jo vetëm. “Ne nuk kemi matur vetëm gjendjen formale, por kemi parë edhe anën informale“, shpjegon Theresa Paola Stawski, e cila bashkëpunoi ngushtë me Lukas Lemm nga Instituti i Shkencave Politike në kërkimin e saj. Kjo anë informale ka të bëjë, për shembull, me korrupsionin. Funksionimi i një shteti duket që te koha që i duhet një pacienti të presë mjekun për të marrë shërbimin deri te aksesi në energjinë elektrike.

81 vende janë shtete funksionale, përfshirë këtu shtetet me funksionim të lartë dhe të moderuar. Këtu futet edhe disa vende që janë autokraci ose me pushtet absolut, fakt që ka habitur vetë studiuesit. Gjermania mban vendin e 10-të, Mbretëria e Bashkuar qëndron në vend të 13-të, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend të 23-të.

Por, ku renditet Shqipëria në këtë listë?

Shqipëria konsiderohet shtet me funksionim të moderuar dhe mban vendin e 67-të. Sipas indeksit, vendi ynë funksionon më mirë në përballjen me dhunën me 0.825 pikë, ndjekur nga funksionimi i ligjit me 0.655 dhe e treta renditet administrata e përgjithshme. Te shtetet me funskionim të moderuar renditen edhe vendet e tjera të rajonit, Maqedoni e Veriut, Serbia e Bullgaria, ndërsa Bosnje-Hercegovina konsiderohet “shtet me defekte”.

Shumica e vendeve, 88 të tilla, cilësohen shtete me probleme e madje me defekte të thella, përfshirë Haitin, Somalinë, madje edhe Qipron.

Megjithëse shtetet ‘me defekte’ kanë qenë politikisht të qëndrueshme, studiuesit besojnë se sistemet e tyre kanë shumë të meta.

Ndërkohë, Libia, Jemeni, Sudani i Jugut dhe Guinea e Re janë mes katër vendeve që morën titullin e ‘kolapsit’, pasi studiuesit vunë re se shërbimet publike që marrin qytetarët në këto shtete janë shumë të kufizuara.

“Jam disi e befasuar se sa mirë po funksionojnë disa autokraci si Singapori apo Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga ana tjetër, u befasova kur mësova se Guinea e Re është në fakt një shtet i shembur, sepse ka një mospërputhje ekstreme të shërbimit publik që ofrohet në zonat urbane dhe ato rurale”, tha për MailOnline Dr Stawski.

Burimi: stateness-index.org , uni-wuerzburg.de, Daily Mail

Sara Hila

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA