Në natën e tij të gjashtë Festivali Folklorik Kombëtar Kombëtar, solli në skenë 5 grupe folklorike të diasporës nga Zvicra, SHBA, Anglia dhe Greqia. Bartja e folklorit në kushtet e emigracionit është një sfidë jetike për të gjitha grupet.
Rapsodët e Gjenevës që prezantohen për herë të dytë në festival sollën motive kosovare nga 5 krahina sipas përkatësisë së anëtarëve të grupit. Rikthimi i tirqeve tradicionale dhe elementëve të tjerë të veshjes, ishte risi për ta dhe festivalin.
“Ekzistojnë që nga 2013 dhe aktivitetet e tyre janë mjaft të mëdha në Gjenevë të Zvicrës“- Naim Demi drejtues i grupit
Grupet e tjera të diasporës sollën në skenë balada, elegji dhe motive të kurbetit, këngë të lindjes dhe të jetës. Festën në kala e përmbylli qarku i Elbasanit që u prezantua me rreth 95 artistë prej të cilëve gati 30 vetë ishin nën moshën 25 vjeçare.
Vallet e kënduara dhe lidhja e fortë me natyrën spikati në prurjet e këtij grupi. Motive të tilla si “Shkojnë zogjtë truma truma” nga malësia e Çermenikës u vlerësuan si prurje mjaft autentike të grupit.
“Qarku i Elbasanit këtë vit përfaqësohet nga shtatë zona etnografike, ka edhe rituale të dasmës, mbi të gjitha vjen me balada me ninullë“- tha Blendi Gremi drejtues i grupit
Krahina e Rrajcës nga Përrenjasi solli në festival kostumin e rrallë me kësulën traditcionale të zonës element i traditës që sipas koreografit të grupit është pjesë e garderobës së çdo vajze dhe zonje në Rrajcë.
“Kostumi i Rrajcës është shumë i lashtë por pavarësisht kësaj janë origjinale. Kësula përbëhet nga pjesë metali”- tha Valter Hana koreograf.
Më vonë në mbrëmje festa u zhvendos në zonën e pazarit me muzikën e Endrit dhe Stefit deri pas mesnate.
Sot në festival do të vijë qarku i Gjirokastrës, grupi i valleve “Rozafati” nga SHBA si dhe grupi i disporës në Greqi “Lotë kurbeti”.
Mbrëmjen në pazar do ta mbyllë Eneda Tarifa dhe grupi i saj që pritet të perfomojnë deri pas mesnate.
Top Channel