Ndaj tre mjekëve që u arrestuan pas vdekjes së foshnjes në Spitalin e Prizrenit, u caktua sot masa nga Gjykata e Prizrenit.
Dy mjekë u dërguan në “arrest shtëpiak”, ndërsa për tjetrin u caktua “detyrim paraqitje”.
“Më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç ‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë. Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi tre mjekë në Spitalin e Prizrenit, pasi një burrë denoncoi se pas lindjes së gruas së tij, foshnja ndërroi jetë. Ai dyshon se vdekja ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.
Rasti po hetohet si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Top Channel