Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA pohoi për VOA-n se administrata amerikane ka të njëjtat shqetësime si edhe Kongresi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.
“Zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Ata janë angazhuar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të nxitur ç’tensionimin dhe përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të këtij viti”, tha zëdhënësi duke nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri të Kosovës.
Komentet e tij ishin një reagim pas letrës së dërguar nga një grup senatorësh demokratë dhe presidentit Joe Biden, ku i kërkohej që të trajtohej me prioritet përkeqësimi i situatës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në letrën e firmosur nga senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Pete Ricketts, Thom Tillis, Peter Welch dhe Dick Durbin, shprehej shqetësimi me situatën në veri “ku dhuna e fundit serbe kundër Forcave të NATO-s në Kosovë plagosi rreth 40 paqeruajtës të NATO-s. Që nga ato sulme, ne jemi të alarmuar nga vendimet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të përshkallëzojnë dhe jo të ulin tensionet”, thuhej aty ndërsa nënvizohej shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e rreth 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
“Ne vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të ulur tensionet, por këto përpjekje nuk kanë marrë përgjigje të ndërsjellë nga Kosova në veçanti. Si rrjedhojë ne jemi të përgatitur të shqyrtojmë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, theksohej në letër.
Top Channel