Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i konfirmoi në mbledhjen e qeverisë sanksionet që blloku europian ka përgatitur ndaj Kosovës, e që një ditë më parë iu paraqitën dhe Parlamentit Europian.
Pavarësisht kësaj, Kurti insistoi të tregonte se vendi nuk do të lëvizë nga rruga e vet europian dhe do të mbetet një partner i besueshëm për BE-në.
“Evropa është kontinenti ynë, e Bashkimi Evropian është fati ynë. Pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti ynë, e Bashkimi Evropian është fati ynë“, theksoi ai.
Kurti kujtoi më tej raportin e fundit të bllokut për Kosovën, dhe faktin që ai ishte pozitiv.
“Ai raport e vlerësonte vendin tonë në dritën më pozitive të dhënë ndonjëherë. Si në luftën kundër korrupsionit, si në demokratizimin, zhvillim ekonomik ashtu edhe në avancimin e kornizës ligjore. Aty e gjejmë peshën e vërtetë të BE-së si organizëm mbi kombëtar, i së drejtës dhe meritokracisë. Pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e Bashkimit Europian dhe e presim me padurim pyetësorin për anëtarësim”, u shpreh ai.
Top Channel