Parlamenti i Hungarisë nuk do të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO para pushimeve të verës, pasi kjo çështje nuk është përfshirë në axhendën e javës së ardhshme.

Mediat hungareze raportuan se parlamenti i vendit, ku shumicën e ka partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban, do të shtyjë akoma edhe më shumë votimin, duke tensionuar kështu më tej raportet me Suedinë. Zyra e shtypit e Parlamentit hungarez nuk ka konfirmuar këto raportime, por tha vetëm se agjenda për seancën e javës së ardhshme do të finalizohet të enjten.

Megjithatë, edhe ligjvënësja opozitare e majtë, Agnes Vadai, shkroi në Facebook se Orban nuk do ta hedhë në votim pranimin e Suedisë në NATO në seancën e javës së ardhshme. Ministria e Jashtme suedeze nuk i është përgjigjur kërkesës së Reuters për të komentuar për këtë çështje. Frika që i ngjalli Suedisë dhe Finlandës agresioni rus në Ukrainë i shtyu dy vendet fqinje të hiqnin dorë nga politika e tyre shumëvjeçare e mosangazhimit ushtarak.

Në kërkim të një sigurie më të madhe ato shprehën dëshirën që t’i bashkohen NATO-s. Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill, por procesi për Suedinë ka qenë më i ngadaltë. Suedia po bën përpjekje t’i bashkohet aleancës gjatë samitit të 11 dhe 12 korrikut. Por edhe pse Stokholmi e ka mbështetje nga shtetet e tjera anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Hungaria janë kthyer në pengesë për aspiratat e tij, pasi deri tani nuk e kanë ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA