Anëtarët e Asamblesë Kombëtare te Republikës Serbe, votuan për bllokimin e Marrëveshjes që garanton lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, duke lënë në fuqi regjimin e vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.
Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan tetorin e vitit të kaluar me marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, e firmosur në kuadër të Procesit të Berlinit. Qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës konsideroheshin si përfituesit kryesorë të kësaj ujdie.
Por vendimi i këtij rajoni gjysmë autonomy të Bosnjes, praktikisht e ndalon heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve. Të 64 deputetët e pranishëm votuan për këtë çështje. Që ky vendim të miratohej, kërkohej një shumicë prej dy të tretave të votave. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës pikërisht për shkak të kundërshtimit nga zyrtarët e Republikës Sërpska.
Anëtarja e Presidencës tre palëshe të së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, deklaroi se heqja e vizave me Kosovën “do të ishte e dëmshme për interesat jetike të Republikës Serbe”. Pas luftës së viteve 90, që la mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Konkluzioni për miratim urgjent të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes si dhe miratimi i Planit të Veprimit për përmbushjen e 14 prioriteteve kyçe, i janë paraqitur Bosnjes nga Bashkimi Europian për të vazhduar përpara në procesin e anëtarësimit.
Top Channel