Kurban Bajrami, Naim Tërnava: Ndërkombëtarët të shohin Kosovën, ç’tensionimi me dialog

28/06/2023 11:35

Me faljen e namazit në Xhaminë e Madhe nisën në Prishtinë kremtimet publike për Kurban Bajramin, të cilin e festojnë sot besimtarët myslimanë në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, foli për sigurinë në vend dhe tensionet që vazhdojnë prej javësh në komunat veriore me shumicë serbe. Tërnava i bëri thirrje si qeverisë së Kosovës, ashtu edhe bashkësisë ndërkombëtare të angazhohen më shumë për qetësimin e gjendjes përmes dialogut.

“Qeveria dhe ndërkombëtarët të bëjnë më shumë duhet të kontribuojnë edhe më shumë, në të gjitha mundësitë e tyre në ç’tensionim të situatës dhe uljen e tensioneve.. Gjendja e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet. Prej muajsh në veri kemi tensionim të gjendjes. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut, larg nga përdorimi i dhunës…”, tha Tërnava.

Kosova ka kufijtë e saj, sovranitetin dhe Kushtetutën e vet të cilat duhen respektuar në mënyrë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve. Lutemi në këtë ditë feste, që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia”, u shpreh ai.

Tërnava përmendi po ashtu edhe harmoninë brenda familjes si thelbin e një shoqërie të shëndoshë, ndërsa theksoi rëndësinë e vizitës në Qabe, duke e përshkruar si një detyrim për të ata që e kanë mundësinë. Në këtë ditë të rëndësishme në kalendarin mysliman, Myftiu i Kosovës priti edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili përcolli urimet e tij për besimtarët, ndërsa shtoi se gjatë ditës planifikon të takojë tre policët e liruar nga Serbia.

“Të mirat duke i ndarë shtohen, nuk zvogëlohen. Edhe mirëqenien duhet ta ndajmë e sakrifica ia vlen e nuk ka ditë më të përshtatshme për ta konkretizuar këtë se sa festa e Kurban Bajramit. Urime të gjithë besimtarëve”, tha Kurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA