Ata, erdhën në Shqipëri ku gjetën një strehë pas torturave ndër dekada nga pushtuesit dhe regjimet e Iranit, por sot, dyshohen se kanë konsumuar paligjshmëri në vendin që i mikpriti… Kontrolli në kampin e muxhahedinëve dhe konfrontimet e tyre me policinë, janë vetëm pjesa e dukshme e një historie me mjaft të pathëna.

Pse u ndërhy në kampin e muxhahedinëve në Manëz, “Inside Story” ka siguruar dosjen e plotë hetimore për veprimtaritë e tyre të dyshimta.

Është data 20 Qershor 2023. Jemi në Manëz, në kampin ku strehohen qytetarët iranianë, të njohur gjerësisht si muxhahedinët. Grupimi që përfaqëson opozitën e regjimit të ejatollahëve.

Kamera e sigurisë në hyrje të kampit, ka fiksuar momentet kur dhjetëra mjete të Policisë së Shtetit mësyjnë drejt godinave. Një ndërhyrje e konsideruar surprizë në kampin ku strehohen opozitarët iranianë të lidhur me perëndimin, që kanë nisur të vijnë grupe-grupe në Shqipëri 10 vite më parë.

Ai që do të duhej të ishte një kontroll normal, bazuar në vendim gjykate, u shndërrua në skenë konfrontimi. Muxhahedinët bënë qëndresë ndaj këtij urdhri të gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Atëherë ne kemi pasur shqetësime për mosrepesktim të anagzhimeve dhe ua kemi bërë prezente në të kaluarën, Prokuroria ka bërë disa hetime për vepra të ndryshme penale”, u shpreh zëvëndësministri i Brendshëm Andi Mahila.

“Duke qenë se kishin info të bollshëm policia dhe autoritetet ligjzbtuese me atë që po ndodhte në kamp, sigurisht që do të bëhen ndërhyrja e cila nuk është ndërhyrja e parë nga policia e shtetit, është ndërhyrja e parë pas situatave të ndryshuara, për atë arsye pati dhe përplasje, të gjitha këto veprimtari që policia shqiptare ka marrë në kampin e mekut kanë qen për të realizuar qëllimin e vetëm, sigurimin e rendit dhe të gjithë veprimtarine ligjzbatuese shqiptare”, tha ish prokurori Eugen Beci.

Ndërhyrja e policisë nisi rreth orës 8:50. Fillimisht, gjithcka po kryhej në normalitet. Gjërat ndryshuan kur oficerët e Antiterrorit, kërkuan kontrollin e disa godinave ku dyshohej se kryheshin veprimtari kriminale në fushën e krimeve kibernetike.

Në orën 11:18 minuta, pra më tepër se dy orë nga momenti ndërhyrjes së policisë, Zyra e Shtypit e organizatës MEK shpërndau një deklaratë për mediat. Aty njoftohej vdekja e një muxhahedini, duke akuzuar policinë për dhunë. Në njoftimin e parë, bëhej kujdes të theksohej se ky nuk ishte qëndrim i organizatës, por deklarata të banorëve iranianë. Disa orë më vonë, udhëheqja e muxhahedinëve shkoi edhe më tej duke hedhur akuza mjaft të rënda në drejtim të shtetit shqiptar. Këtë herë, duke e konsideruar qëndirm zyrtar të udhëheqjes së tyre.

“Me urdhër të fashizmit fetar, që sundon Iranin, mëngjesin e sotëm rreth 1 mijë policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një sulm shtypës dhe kriminal”.

Këtu, gjuha diplomatike nuk eksizton nga grupimi i mbi 2.500 muxhahedinëve të cilëve Shqipëria u siguroi strehë dhe jetesë normale pas dekadash të tëra përndjekje.

“Detajet e operacionit janë bërë publike dhe opinion u informua nga drejtori policisë, ajo që është fakt është se polcia gjatë operacionit përdori standartet e menaxhimit të turmave duke përdorur forcën e ligjshme por jo dhunë, ky është fakti”, tha Zv. Ministri Andi Mahila

Muxhahedinët njoftuan vdekjen e një anëtari të organizatës së tyre i quajtur Ali Mostashari, 78-vjeç, duke shpërndarë edhe foto të tij. Në një raport të brendshëm të strukturave inteligjente që Inside Story disponon, citohet se në fakt i moshuari vuante prej kohësh nga problemet e zemrës. Ai ka pësuar arrest kardiak. Referuar të dhënave nga kartela e të ndjerit, konfirmohet se në të shkuarën ai është trajtuar për probleme kardiake.

“Nga kqyrja e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe trupi i tij është dërguar për ekzaminime më të specializuara mjeko-ligjore në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë”, citohet në dosjen hetimore.

Sipas të njëjtit raport të hartuar nga strukturat inteligjente, thuhet se viktima nuk ka qenë fizikisht në zonën ku janë shënuar konfrontime. Policia konfirmoi vdekjen e shtetasit iranian disa orë më vonë, kur ai u mor me ambulancë në qendrën shëndetësore brenda kampit.

“Sa i takon se ku ishte kur ndjeu shqetësime ose kur humbi jetën të gjitha janë faktuar përmes monitorimit që vetë policia i ka bërë operacionit të zhvilluar me mjetet e saj”, është cituar në dosje.

Pikërisht momenti kur muxhahedinët njoftuan për vdekjen e bashkëkombasit të tyre, shënon nisjen e konfrontimeve me policinë. Ajo që bën përshtypje është fakti se përballë policisë bëjnë qëndresë kryesisht persona të moshuar. Në një hetim të veçantë të prokurorisë së Durrësit, janë vënë në ndjekje penale 6 persona për kundërshtimin e Policisë në kryerjen e kontrolleve.

Top Channel