Festivali Folklorik Kombëtar ka sjellë në Gjirokastër ritme dhe ngjyra që kanë mbushur gjithë qytetin dhe rrethinat.
Grupet folklorike të qarkut të Kukësit dhe Beratit si dhe Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut sollën emocione të rralla në natën e parë të eventit.
Artistët popullorë kanë përcjellë copëza të rralla të trashëgimisë kombëtare, materiale burimore, tinguj të instrumentave si fyejt, lahuta, çiftelia si dhe valle qindra vjeçare të traditës, elementë autentikë të kostumeve si ai i Rrajcës, Beratit e Skraparit. Grupet debutuese u paraqitën me artistë të të gjitha moshave e për herë të parë spikaste numri i madh i të rinjve. Megjithatë shumë prej pjesëmarrësve mendojnë se procesi që i parapriu përgatitjes për festivalin ka qenë i shkurtër dhe i pamjaftueshëm. Grupet kanë pasur pak kohë për prova ndërsa edhe kriteret e selektimit kanë qenë shumë të ndryshme nga festivalet e mëparshëm.
Festivali Folklorik Kombëtar do të vijojë sot në mbrëmje me debutimet e qarqeve të Lezhës dhe Vlorës si dhe grupin përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi. Në orët e vona të mbrëmjes çdo natë do të sjellë ritme të tjera të muzikës qytetare, asaj të lehtë, rokut dhe bandave të njohura nga disa vende fqinjë. Skena e eventit po ndahet mes kalasë dhe zonës historike ndërsa festa është duke përfshirë gjithë qytetin.
Festivali do të zgjasë 8 ditë dhe pritet të evidentojë aspekte të harrura të trashëgimisë kulturore. Për herë të parë nuk do të ketë konkurrim por një komision ekspertësh të etnografisë, folkut, trashëgimisë kulturore dhe muzikologë që do të vlerësojnë prurjet më origjinale si dhe kalimin e elementëve të traditës nga brezi në brez.
Top Channel