Tailandezët në festivalin e maskave gjigante për kujtimin e shpirtrave (fotot)

24/06/2023 18:38

Të zbukuruar me maska të sofistikuara fytyrë-gjata dhe pantallona të gjera shumengjyreshe, qindra tailandezë tringëllonin këmborët e lopëve në paradën e shpirtrave në verilindje të vendit.

Festivali i përvitshëm Phi Ta Khon në rrugët e Dan Sai është i mbushur me ngjyra e muzikë tradicionale dhe ndiqet nga mijëra spektatorë.

Shumë elementë të tij ngjajnë me Ditën e Të Vdekurve në Meksikë edhe pse festivali tailandez i ka rrënjët në kulturën budiste.

Burra të ngjyer me baltë – kjo e fundit simbol i fertilitetit dhe fushave të orizit në vend – marrin pjesë në procesionin në rrugën e ngushtë 1 km të gjatë, të mbushur me spektatorë festues.

Artist 59 vjeçar Pisit Tabtong, thotë se maskat tradicionale të fantazmave bëheshin me lëkurë pemësh dhe kishin dizajn të thjeshtë që mbulohej me ngjyra dheu.

Por tashmë festivali është kthyer në një atraksion turistik dhe maskat kanë marrë ngjyra më të shndritshme.

“Një maskë e thjeshtë kërkon rreth dy javë për t’u krijuar ndërsa dizajnët më të komplikuar kërkojnë disa muaj”, thotë ai për rrjetin AFP.

“Pas ceremonive ne i sjellim maskat në qytet dhe i lëshojmë në ujin e lumit pasi besojmë se simbolikisht kështu lahet energjia e keqe që ato mund të bartin”, shton Pisit.

Turistët e përshkruajnë festivalin si një eksperiencë unike.

“Është fantastike”, thotë vizitorja 69-vjeçare australiane Colleen Duplock që vjen për herë të parë në event.

Llogaritarja nga Bangkok, Sonjai Vomgpartamajaroen, thotë se është viti i dytë radhazi që viziton festivalin.

“Në Bangkok, ka shumë ndërtesa të larta dhe njerëz të veshur mirë, por nuk ka lidhje mes njerëzve sepse janë të ftohtë. Këtu mund të shohësh vendasit që bëhen bashkë dhe zbaviten. Do të vij çdo vit,” tha ajo për AFP.

Festivali vazhdon deri të dielën.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA