Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa pjesë e filmit “Në kuadër të dashurisë”!

21/06/2023 11:24

Teksa jemi njohur me dy protagonistët e filmit “Në kuadër të dashurisë”, është koha të zbulojmë dalëngadalë dhe anëtarë të tjerë të kastit.

E është pikërisht aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa që do të jetë gjithashtu pjesë e filmit. Me një karrierë të gjatë kinematografike, zoti Xhepa vjen tashmë në këtë komedi romantike, duke na shtuar edhe më shumë kureshtjen mbi filmin…

Ndriçim Xhepa lindi më 21 janar 1957 në Tiranë. Pas mbarimit te studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, me 1979, fillon punën si aktor i Teatrit Kombëtar. Ka interpretuar rreth 40 role, nga te cilët veçohen ato në “Nata e dymbëdhjetë”, “Romeo e Xhulieta”, “Prometeu”, “Në jetë”, “Monserrati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vonë”, “Shkallët”. Në vitin 1995 ai fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” për aktorin më të mirë për shfaqjen “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”.

Me shfaqjen “Kapitulli i Dytë”, ai fiton çmimin për “Aktorin më të mire” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik. Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione të pavarura si “Kujdes! Kafshon…”, “Mbretëresha e Bukur”, “Nesër nisemi për në parajsë” dhe “Tradhëti Bashkëshortore”. Ndërsa në Teatrin e Kombësive të Shkupit ka interpretuar në “Mbretin Lir” të Shekspirit.

Ndriçim Xhepa ka realizuar me sukses në rreth 30 filma, nga te cilët veçohen “Shokët”, “Kohë e Largët”, “Treni niset në shtate pa pesë”, “Përdhunuesit”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Hije që mbeten pas”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”. Ai është gjithashtu tre herë fitues i Kupës për Aktorin më të Mirë në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA