Forcat RENEA, FNSh, Operacionalia dhe uniforma blu nga drejtoritë vendore vunë në zbatim një plan të hartuar me detaje për ndërhyrje në një territor ku prej vitesh aksesohej vetëm nga muxhahedinët në kampin Ashraf 3 në Manëz.

Prej orës katër të mëngjesit Policia e Shtetit me të gjitha njësitë e saj pas vendimit të Gjykatës së Posaçme nisi kontrollin në kampin Ashraf por shumë prej muxhahedinëve kundërshtuan kontrollin dhe kjo detyroi policinë të përdorte gaz lotsjellës.

MEK u vendos në Shqipëri në vitin 2014 pas një marrëveshje për qëllime humanitare. Sipas Ministrisë të Brendshme ky grupim nuk iu është përmbajtur angazhimeve të dakortësuara duke thyer marrëveshjen.

Autoritetet shqiptare ishin në kërkim të pajisjeve teknologjike të cilat konsiderohen me vlerë për hetimet që prej kohesh ka nisur SPAK, por kjo nuk u prit mirë nga muxhahedinët. Shumë prej tyre e cenuan shkelje privatësie dhe agresion ndaj personave të pambrojtur dhe refuzuan kontrollin. Ndërsa autoritetet kanë dyshime të arsyeshme se muxhahedinët në Shqipëri po kryejnë veprime operacionale kundër shtetit të Iranit.

Disa prej tyre u shoqëruan me furgona në polici ndërsa të tjerë u organizuan në tubime kundër veprimeve të policisë.

Sipas muxhahedinëve përdorimi i gazit dhe sprajit nga policia solli humbjen e jetës së një personi dhe lëndimit të 36 të tjerëve.  Top Channel hyri brenda qendrës shëndetësore të kampit ku dhjetëra persona shfaqnin probleme në  frymëmarrje si dhe djegie sysh. Në këtë qendër ndodhej dhe trupi i pajetë i një personi dhe për të sqaruar shkaqet e vdekjes së tij është ngritur një grup hetimor nga policia dhe prokuroria e Durrësit.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme në reagimet e bëra për mediat theksuan se nuk ka jetë të humbura nga ndërhyrja e policisë dhe se të gjitha veprimet ishin konform ligjit duke ruajtur etikën dhe të drejtat e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA