Li mbështetet në traditën e miqësisë me Gjermaninë

20/06/2023 08:45

Gjermania është destinacioni i vizitës së parë jashtë vendit të kryeministrit të ri kinez, Li Qiang.

Ai dëshiron të thellojë bashkëpunimin, veçanërisht në aspektin ekonomik.

Kina dëshiron t’i përdorë konsultimet me qeverinë gjermane për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të kapërcyer dallimet. Pas mbërritjes së delegacionit qeveritar kinez prej dhjetë anëtarësh në Berlin, kryeministri Li Qiang u shpreh për shfrytëzimin e potencialit për bashkëpunim dhe pasurimin e përmbajtjes së partneritetit strategjik midis dy vendeve.

“Së bashku të veprojmë në mënyrë konsistente”- kjo është motoja e konsultimeve qeveritare Gjermani-Kinë, ku kryeministri kinez, Li Qiang, ka ardhur me një pjesë të madhe të kabinetit të tij.

Por rezervat e të përbashkëtave gjermano-kineze po shterojnë. Kjo u kuptua edhe në takimin e fundit mes ministrit gjerman te Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe homologun kinez, Li Shangfu në një konferencë sigurie në Singapor.

Kina partneri më i rëndësishëm tregtar për Gjermaninë

Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar për Gjermaninë për të shtatën herë me radhë. Në vitin 2022 shkëmbimi i mallrave kapi vlerën e 300 miliardë eurove, me një deficit tregtar të madh nga ana gjermane me mbi 80 miliardë euro. Marrëdhëniet nuk janë vetëm të rëndësishme, ato janë edhe shumë komplekse.

Paradoksaliteti i marrëdhënies gjermano-kineze duket në atë që në të njëjtën kohë Kina në dokumentet zyrtare përcaktohet si partnere, konkurrente dhe rivale strategjike. Në të shkuarën Berlini zyrtar vinte në plan të parë partneritetin. Kosultimet qeveritare – që kanë filluar nga viti 2011 – e vërtetojnë këtë. Në vitin 2014 marrëdhëniet kinezo-gjermane u ngritën në rangun e “partneritetit të zgjeruar strategjik”.

Por që atëherë atmosfera ka ndryshuar si në Berlin edhe në kryeqytetet e tjera europiane. Peshorja anon më shumë në anën e rivalitetit strategjik. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për rrjedhjen e teknologjisë, apo besnikërinë e Pekinit ndaj “miqësisë së patundur” me Moskën megjithë pushtimin e Ukrainës, rritjen e tensioneve në Rrugën e Tajvanit, shtypjen e pakicës uigure në Kinë – lënda për konflikte shtohet. Përmes rivalitetit gjeopolitik me SHBA ajo ashpërsohet madje më shumë.

Jo “business as usual”

Të gjitha këto do të lenë gjurmët e tyre në raundin e 7-të të konsultimeve qeveritare, është e mendimit Barbara Pongratz nga Instituti Studimor gjerman, Meritz. “Qeveria gjermane dëshiron të heqë dorë nga qëndrimi ‘business as usual'”, thotë ekspertja për marrëdhëniet gjermano.-kineze. “Ka sinjale që konsultimet qeveritare nuk do të shoqërohen nga inskenime të mëdha dhe jo nga ujditë për marrëveshje të mëdha.”

Po fryn një erë tjetër në marrëdhëniet me Kinën. Këtë e konstaton që në marrëveshjen e koalicionit qeveritar të SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve. 12 herë përmendet Kina aty. “Për të realizuar vlerat dhe interesat tona në rivalitetin sistemor me Kinën, na nevojitet një strategji e zgjeruar për Kinën në Gjermani në kuadër të politikës së përbashkët të BE për Kinën. Duam t’i vazhdojmë konsultimet qeveritare dhe t’i formësojmë më shumë në nivel europian”, premtohet në marrëveshjen e koalicionit.

Nuk ka strategji për Kinën as europeizim të politikës ndaj Kinës

“Nuk është ekzistent një debat i vërtetë në drejtim të europeizimit të marrëdhënieve gjermano-kineze, strategjisë për Kinën apo konsultimeve qeveritare”, shprehet eskpertja Pongratz. Pa harruar që strategjia për Kinën ende nuk është publikuar, gjë që do të bëhej me strategjinë kombëtare të sigurisë. Duket se strategjia për Kinë që është shtyrë edhe për shkak të qëndrimeve të ndryshme në koalicion. Politilogu nga Berlini, Eberhard Sandschneider e sheh më shumë si pozitive shtyrjen e strategjisë për Kinën. “Nëse tani publikohet shumë material kritik në lidhje me Kinën, duhet të presësh që vetëbesimi i Kinës do të çojë në anulimin e konsultimeve.” Sandscheider thotë se “është sekret i ditur që qeveria gjermane nuk është e një mendimi. Këtë e dinë edhe kinezët.”

Debati zhvillohet edhe publikisht, sidomos mes Të Gjelbërve që paraqiten të orientuar nga vlerat dhe përdorin një ton të ashpër ndaj Kinës dhe SPD që ka në fokus interesat ekonomike. Gjatë një vizite në prill të ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në Pekin pati një këmbim të hapur replikash me homologun kinez, Qin Gang. Mes Baerbock dhe kancelarit Scholz janë perceptuar dallime të mëdha, thotë Barbara Pongratz. Politika partiake përcakton aktualisht qëndrimin ndaj Kinës. “Por nëse vëren me vëmendje, kupton se dallime ka në ton, por mesazhet nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri.”

Në konsultimet qeveritare kryesinë e ka kancelari, Olaf Scholz, që në përgjithësi megjithë situatën e vështirë mund të sjellë një ton më miqësor. Por ekspertët nuk presin rezultate konkrete. Sipas ekspertit Sandschneider rëndësi ka që këto konsultime zhvillohen. “Me kolegët kinezë me të cilët bisedoj jam i një mendimi: Ka ardhur koha që të ulen të gjithë së bashku. Dhe jo vetëm në seancat e konferencave, por edhe në pushimet për një kafe mes konferencave për të biseduar edhe personalisht. Kjo e ndryshon atmosferën.” E ndoshta kjo mund ta bëjë të paktën të vepruarit e përbashkët konsistent, sipas motos së konsultimeve. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA