Banorët e fshatit Belorta në Korçë prej gati një jave nuk furnizohen me ujë të pijshëm. 

Shkak për këtë situatë që u sjell shumë vështirësi në përditshmërinë e tyre është bërë dëmtimi i ujësjellësit si pasojë e motit të keq. Nga ana tjetër ujësjellësi menaxhohet nga vetë banorët çka bën që ata të jenë të kufizuar në ndërhyrjet dhe investimet që bëhen në rrjet nga bashkia.

Në këto kushte ata detyrohen që të shfrytëzojnë çdo mënyrë alternative për të siguruar ujin duke mbushur në burime, puse apo edhe duke e blerë. Një prej punonjësve të shërbimit të Bashkisë Korçë i cili shkoi për të verifikuar dëmin tha se mund të duhen edhe 2 ditë për të zgjidhur problemin.

Një javë më parë disa nga fshatrat e Korçës dhe Maliqit u përmbytën dhe pësuan dëme të shumta si pasojë e motit të keq, ndërsa mungesa e investimeve infrastrukturore dhe rrjetit të kanalizimeve rrit mundësinë që pasojat e shkaktuara të jenë më të mëdha.

Top Channel