Mjafton vetëm 4 kilometra nga Kthesa e Kasharit dhe do ta gjeni veten në një oaz relaksi, qetësie, e gjelbërimi.
Bëhet fjalë për një ndër zonat më piktoreske të cilën jo shumë e njohin apo kanë dëgjuar për të, dhe është pikërisht Liqeni i Puresit ose i njohur ndryshe si Liqeni i Kusit në afërsi të kryeqytetit.
Ky kombinim i liqenit me bimësinë pyjore ka tërhequr mjaft turistë të huaj të cilët zgjedhin të qëndrojnë aty me rulot e tyre.
Turistët shprehen:
“Ne e gjetëm këtë vend pasi kishim blerë një libër dhe e përshkruante Shqipërinë si një vend që duhet vizituar”.
“Po udhëtonim me rulot dhe kaluam pranë Shqipërisë në prill të vitit të kaluar, u magjepsëm dhe u kthyem sërish. Kemi qenë këtu dy herë brenda vitit dhe kemi qëndruar nga dy muaj. Na pëlqejnë njerëzit, janë shumë të ngrohtë dhe ka vende të mrekullueshme. Ndihem si në shtëpi”.
Të ardhur nga vende të ndryshme të botës Belgjika, Gjermania apo edhe nga Izareli për të vizituar Shqipërinë, këta turistë zgjedhin të qëndrojnë këtë pasi ju pëlqen peizazhi dhe qetësia që ky vend ofron.
Turistët shprehen:
“Është bukur, qetë , nuk ka mbipopullim, dhe është ideal për tu relaksuar, dhe kjo është ajo çka duam”.
“Vijmë nga Belgjika, e zgjodhëm Shqipërinë për njerëzit dhe natyrën e bukur që ka. Shqipëria ka më shumë se 10 vite që është në listën time për ta vizituar. Këtu është shumë ngrohtë, peizazhi fantastik dhe fëmijët mund të lahen në liqen. Është shumë qetësi dhe shumë bukur këtu”.
“Për mua është një zonë shumë e bukur”.
Shumë prej tyre thonë se do të rikthehen sërish, e madje kishte nga që kishin mësuar edhe vallet tradicionale shqiptare. Rrethinat e Liqenit të Kusit mund të kthehen në një zonë turistike me infrastrukturë bashkëkohore.
Top Channel