Media angleze “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të veçantë rastit të një shqiptari të dënuar në mungesë për grabitje në Shqipëri, por që ka arritur të marrë pasaportë dhe leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.

Ai është Arsim Murati, 46-vjeç. Sipas Daily Mail, në nëntor të vitit 1997, Murati bashkë me katër persona të tjerë i zunë pritë një furgoni duke qëlluar më armë në ajër e më pas grabitën të gjithë udhëtarët.

Murati u arratis dhe u dënua në mungesë me 11 vjet burg. Në vitin 2009, pas arrestimit në Britaninë e Madhe, sipas artikullit të “Daily Mail” Murati u deportua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Por vetëm 6 vjet më pas ai u kthye në Britani ku rinovoi pasaportën e vjetër si shtetas nga Kosova që kërkonte azil me pretendimin se kishte ikur nga lufta dhe regjistroi një biznes me identitet të rremë, të cilin më pas e kaloi në emrin e tij të vërtetë.

Ai duket se jeton në një pronë gjysmë të shkëputur në Northampton me vlerë më shumë se 350,000 £ me dy nga vajzat e tij.

Sa i përket dënimit për grabitje, Murati pretendon se nuk e ka kryer kurrë dhe se është dënuar pa të drejtë nga autoritetet shqiptare. Por dokumentet e gjykatës shqiptare tregojnë se ai u dëbua më 16 janar 2009 dhe u burgos deri në lirimin e tij më 13 janar 2015.

“Daily Mail” shkruan ndër të tjera se nuk është e qartë nëse Murati u kthye legalisht në Britaninë e Madhe pasi kreu dënimin në Shqipëri, pasi kur u pyet nga një gazetar për këtë ai refuzoi të përgjigjet.

Gazetarët e “Daily Mail” i janë drejtuar edhe “Home Office” për informacione por një zëdhënës i tyre tha se nuk mund të komentonte në mënyrë rutinore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA