Fiks Fare/ “Do t’i pritet veshi”, i sëmuri me kancer rrezikon organin, pasi aparatura e rrezeve u prish në QSUT

19/06/2023 20:40

Një i sëmurë me kancer lëkure rrezikon të humbasë një organ jetësor, veshin, pasi aparatura e rrezeve është prishur prej disa muajsh te Onkologjiku në QSUT.

Përveç këtij rasti, mjekët e këtij reparti i thanë gazetarëve të Fiks Fare se janë rreth 400 pacientë me kancer lëkurë që rrezikojnë jetën, si pasojë e mos funksionimit të një aparature e Radioterapisë. Në redaksinë e emisionit Fiks Fare kanë mbërritur dy denoncime, ku këta pacientë kërkojnë ndihmë! Ata duhet të bëjnë trajtimin me rreze pranë pavijonit të Radioterapisë te Onkologjiku. Por, si pasojë e prishjes së aparaturës “Orthovoltazh, njëri pacient rrezikun të humbasë jetën dhe tjetri veshin.

Sipas protokollit dhe rekomandimeve të mjekëve, pacientët duhet të kryejnë rreze për 1 muaj me radhë pa ndërprerje. Fillimisht, pacientët kryejnë trajtimin me azot dhe më pas i nënshtrohen rrezeve. Megjithatë, këtë shërbim nuk e kanë marrë dot, pasi aparatura është prishur në fund të vitit 2022.

“Përshëndetje Fiksi Fare! Ju shkruaj për një problem me shërbimin e radioterapisë në QSUT, te Onkologjiku. Që në 1 nëntor 2022 nuk funksionon pajisja që kryen rrezet në sipërfaqe të lëkurës. Kemi 7 muaj në pritje. Gjendja është përkeqësuar edhe më shumë sepse u ndërpre mjekimi” ishte denoncimi i parë.

Ndërkohë, disa ditë më vonë, na vjen sërish një ankesë e njëjtë; “Përshëndetje! Dua të bëj një ankesë për te Onkologjiku. Babi filloi rrezen, bëri 5 ditë dhe pastaj i thanë është prishur aparatura. Kaluan 8 muaj dhe asnjë përgjigje, plaga sa vjen dhe bëhet më e madhe dhe shqetësimet e një pas njëshme. Kemi pyetur dhe gjithmonë na thonë që nuk është rregulluar”.

Denoncuesi i parë i shkruan Fiksit se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me informacionin e këtij reparti. Madje, vetë punonjësit e Onkologjikut i kanë dërguar disa mesazhe se “aparatura nuk është rregulluar”, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga nisja e trajtimeve. Pas ankesave, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Shërbimit të Radioterapisë te Onkologjiku.

Punonjësit e Radioterapisë pranuan se aparatura nuk është rregulluar ende. Madje, do të duhen edhe 6 muaj që të instalohet. Por koha nuk është në favorin e pacientëve, të cilët rrezikojnë edhe jetën! Onkologjiku i drejtoi pacientët sërish Ambulanca e Specialiteteve. Fiksi shkon te Ambulanca e Specialiteteve, ku takoi një mjeke onkologë.

Mjekja e Ambulancës së Specialiteteve nuk ka dijeni për rimbursimin apo edhe kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas saj, duhet të merren mjekët e Onkologjikut. Pacientët duhet të shkojnë sërish te QSUT për të vijuar me mjekimin. Dhe, nga të gjitha këto sorollatje, ata rrezikojnë të humbasin jetën!

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan sërish QSUT-së, ku biseduan me mjekun e radioterapisë që trajtoi pacienten me kancer lëkurë, që rrezikon veshin. Mjeku pranoi se, nëse pacientja do të kishte kryer terapinë me rreze, do të kishte zhdukur kancerin dhe gjendja e veshit do të ishte e mirë. Por, ai tha se pacientja duhet ti nënshtrohet operacionit për heqjen e veshit, pasi plaga është përkeqësuar. Mjeku tha se, nga mosfunksionimi i aparaturës “Orthovoltazh”, 400 pacientë nuk kanë zgjidhje tjetër përveç kirurgjisë.

Pas kësaj deklarate, familjarët iu drejtuan me një kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë së QSUT-së. Disa ditë më pas, Spitali pohon se: “Aparati i ‘Orthovoltazhit’ që trajton kancerin e lëkurës, është instaluar në vitin 2002 dhe gjatë fundit të vitit 2022 ka pësuar një defekt të rëndë, i cili ka qenë i pamundur të riparohej, për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit. Pranë QSUT ka mbërritur së fundmi një pajisje e re, e cila është e një teknologjie më të avancuar, me anë të së cilët do të kryhet trajtimi i kancerit të lëkurës. Aktualisht po punohet për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për instalimin e tij duke kryer më parë të gjitha procedurat dhe duke marrë masat e nevojshme për mbrojtjen nga rrezatimi i këtij ambienti”.

QSUT e pranon se aparati nuk punon. Por, në këtë shkresë, nuk i jep zgjidhje të paktën 400 pacientëve që vuajnë nga kanceri i lëkurës dhe që marrin shërbim te Onkologjiku. Për pasojë, shumë prej këtyre pacientëve, rrezikojnë jetën.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel