Shqipëria së fundmi është përfshirë në një sërë çështjesh ku kompani private për shkak të prishjes së kontratës e kanë dërguar vendin në arbitrazh.

Vendi ynë me ratifikimin e konventës ndërkombëtare të New Yorkut është i detyruar t’i pranojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, por ligji i ri që pritet të miratohet nga parlamenti përfshin edhe disa dispozita kur këto vendime mund të mos njihen ose të refuzohen, përkatësisht në nenin 47.

Arbitrazhi ndryshe nga gjykatat me juridiksion të përgjithshëm vendimet i ka finale, por me legjislacionin tonë kombëtar, qeveria merr një pozitë të re për të rishikuar procesin dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Për ekspertët kjo sërish nuk do ta shmangë vendin tonë nga detyrimet e arbitrazheve ndërkombëtare, por mund t’i japë më shumë kohë në ekzekutimin e tyre

Më herët arbitrazhi ishte i rregulluar si pjesë e Kodit Civil, ndërsa me ligjin e ri përcaktohen rregulla më të qarta nga vendosja dhe emërimi I arbitrave tek ekzekutimi I vendimeve si dhe kundërshtimi i tyre në Gjykatë më pas, duke vendosur shtyllat e një sistemi që pritet të lehtësojë kostot për bizneset që kanë mosmarrëveshje.

Top Channel