Tre mjete lundruese, dy skafë dhe një varkë plastike janë bllokuar në vendin tonë nga Departamenti i Policisë Kufitare.

Varka plastike dhe njëri nga skafët u bllokuan pasi lundronin të papajisur me dokumentet e nevojshme.
Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me gjobë 110 000 dhe 10 000 lekë të rinj.

Skafi tjetër u bllokua pasi dyshohet se ishte i vjedhur në Australi, ndërsa kanë nisur hetimet ndaj drejtuesit të tij.

Në vendin e quajtur “Hunda e Marinës”, Sarandë, u bllokua një varkë plastike, pasi drejtuesi i saj nuk kishte certifikatën për ushtrimin e veprimtarisë si operator ekonomik në fushën e turizmit, si dhe nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këto shkelje, drejtuesi i këtij mjeti, u ndëshkua me dy me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.

Në portin e Durrësit, si rezultat i veprimeve verifikuese të kryera në bashkëpunim me homologët gjermanë, u bllokua mjeti lundrues skaf, me drejtues  F. L., 41 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se është vjedhur në Australi. Për 41-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori ku nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në liqenin e Shkodrës, u bllokua një skaf, pasi drejtuesi i tij nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këtë shkelje, drejtuesi u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj.

“Vijojnë kontrollet në zbatim të detyrave të caktuara në planin e masave për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, si dhe të porosive të posaçme që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, iu ka lënë shërbimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, për vigjilencë të shtuar dhe për prani të pandërprerë në qytetet dhe në vijën bregdetare, me qëllim sigurimin e rendit dhe zbatimit të ligjit për qytetarët dhe pushuesit, si dhe për parandalimin e krimeve që kryhen përmes detit. Nga këto kontrolle, janë bllokuar 3 mjete të tjera lundruese që janë konstatuar duke lundruar në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e lundrimit“, sipas policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA