Një 44-vjeçar ka tentuar ti bëjë gropën dikujt tjetër por ra vetë në pranga.
Sokol Mesiti la tritol në oborrin e banesës së 46-vjeçarit Kujtim Kaçurri, gjatë natës, dhe më pas njoftoi policinë me qëllim që pronari i banesës të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.
Policia pas kallëzimit se 46-vjeçari mbante eksploziv në banesën e tij, ata kanë ushtruar kontroll në banesën e tij dhe kanë gjetur të mbështjella në një qese plastmasi dy kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol, së bashku me fitilin ndezës, dhe dy detonatorë.
Por pas deklarimit se Kaçuri, banues në Prezë, nuk ishte posedues i tritolit, policia ka kryer hetime nga të cilat ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e banesës nga Mesiti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kallëpet me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorët dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive.
Sipas policisë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel