Foto Ilustruese

Ekstradohet nga Franca Redi Dizdari, i dënuar me 5 vjet burgim për shpërndarje të lëndës narkotike kanabis në doza, në afërsi të shkollave.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Paris, 43 vjeçari u kap dhe ekstradua drejt vendit tonë.

Ndaj Dizdarit rezultonte një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës e kishte dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 29 ditë burgim.

Por si rrodhën ngjarjet?

Në vitin 2014, në një lokal në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë gjetur dhe sekuestruar 106 doza të lëndës narkotike cannabis sativa. Nga hetimet rezultoi se dozat i posedonte shtetasi Redi Dizdari, me qëllim shitjen te nxënësit e shkollave.

Dizdari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Top Channel