“Nuk kemi asgjë”/ Përmbytjet në rajonin e Khersonit shkatërrojnë të korrat e familjeve

11/06/2023 11:32

“Nuk kemi më asgjë”, kështu shprehen banorët në Kherson të Ukrainës, të cilat po përballen me përmbytjet shkatërrimtare, pas shpërthimit të digës së kontrolluar nga Rusia, duke dëmtuar bujqësinë në të gjithë rajonin.

Pasi i gjithë vendi u mbush me ujë ata çdo ditë po përballen me sfida të vazhdueshme të momentit, por që do të ndjehen edhe më pas.

“Kanë shkatërruar tokën tonë të mbjellë. Asgjë nuk do të rritet për 10 vjet. Është një fatkeqësi mjedisore. Ekologjia është e prishur”, tha banori vendas.

“Rusët thjesht duan të shkatërrojnë Ukrainën. Por ne jemi ukrainas, do të mbijetojmë. Na rrahën, na dogjën, ne kishim raketa që fluturonin mbi kokat tona dhe mbijetuam. Tani nuk do ta lejojmë veten të përmbytemi. Ne nuk do të mbytemi”, deklaroi një banore tjetër.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës, e cila përmban një rezervuar të madh. Uji nga diga furnizon termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus, dhe gadishullin e okupuar të Krimesë. Shpërthimi ka dëmtuar edhe hidrocentralin e digës.

Mijëra njerëz janë nxitur të largohen nga zona dhe një tren evakuimi u vendos në dispozicionin e tyre për të bërë të mundur transportimin.

 

Top Channel