Nga mesnata, Mali i Zi ka hyrë në heshtje zgjedhore, por edhe pse fushata kaloi qetë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të së djelës ka pasur alarme për bomba dhe gaz nervor si dhe mesazhe kërcënuese në 125 adresa.

Mbi 540 mijë votues kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, të tretat brenda 9 muajve dhe të dymbëdhjetat zgjedhje parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në vend.

Për të parën herë, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) hyn në votime pa liderin e saj historik Millo Gjukanovic.

Ky i fundit vendosi të tërhiqej pas tre dekadash nga kryesimi i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit të tij nga Lëvizja Europa Tani, Jakov Millatovic. Edhe në zgjedhjet e së djelës, Europa Tani, e krijuar nga ish ministri i qeverisë së Zdravko Krivokapic, Millojko Spajic dhe presidenti aktual, Jakov Millatovic, rezulton të ketë përkrahjen më të madhe të qytetarëve.

Të dy këta, njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë mbahen mend nga opinion sepse realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptoi rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe për këtë arsye menjëherë gëzuan popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve të Malit të Zi.

Edhe në këtë fushatë, kjo parti u prezantua me programin “Evropa 2”, e cila po ashtu parashikon rritjen e pagave, pensioneve, mirëqenien e përgjithshme dhe antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian, por pavarësisht kuotave të larta ajo parashikohet ta ketë të vështirë krijimin e një qeverie të re e vetme.

Top Channel