Mushkonjat këtë vit nuk u vranë! Për të pestin vit dështon tenderi për dezinfektimin dhe dezinsektimin

09/06/2023 20:00

Shqipëria pritet të ketë vitin e artë të turizmit këtë sezon.

Operatorët  turistikë  thonë se kanë mbyllur prenotimet që herët dhe pothuajse të gjitha strukturat akomoduese janë të mbushura që tani, madje pritet të shtojnë charterat për shkak të kërkesës  së lartë të pushuesve të huaj që kanë zgjedhur këtë vit Shqipërinë.

Por a do te jete ky viti ku Shqipëria do ta kalojë provimin apo do të mbetet ne klasë?

A do të mund të ofrojnë strukturat tona akomoduese atë cilësi shërbimi që kërkohet nga turistët për tu kthyer në një destinacion i mirëfilltë ku pushuesit e këtij viti të vazhdojnë  ta promovojnë e të kthehen sërish?

Vërtet kemi det dhe rërë që shumë vende do ta kishin zili, por a do të dimë t’i mbajmë ato pastër? Edhe pse pritej ky bum i kërkesave të turistëve të huaj, askush nuk u kujtua për procesin e dezinfektimit  dhe dezinsektimit i cili duhet të kryhej që në muajin mars.

kur insektet  janë ende larva për të mos lejuar shumimin e tyre. Në fakt që prej dy vitesh ky proces nuk ndodh, kur dihet që në zonat bregdetare ka shumë mushkonja.

Vite më parë ky proces kryhej nga Instituti i shëndetit publik  por tenderi më i fundit është zhvilluar para 5 vitesh dhe kompania fituese duhet të kryente këtë proces për tre vite me radhë. Më pas tenderat dështojnë  dhe fondet digjen.

Për vitin 2023 janë akorduar rreth 80 milionë lekë por Instituti i shëndetit publik ia ka deleguar zhvillimin e tenderit agjensisë së blerjeve të përqendruara pranë Ministrisë Brendshme.

Por, kjo agjensi i kërkon ISHP të rishikojë  specifikimet teknike, pasi ato nuk krijojnë gjithpërfshirje për subjektet ofertuese.

Por ndërsa sezoni ka filluar të dy institucionet luajnë pinpong me njëra tjetrën pa menduar që mund të ketë impakt negativ tek pushuesit apo që vetë specialistët e ISHP, kanë deklaruar se mushkonjat nëpërmjet pickimeve transmetojnë sëmundje infektive.

Top Channel