“Mirënjohja e qytetit”/ Bashkia e Tiranës nderon konstitucionalistët Luan Omari, Ismet Elezi dhe juristin Njazi Jaho

09/06/2023 15:37

Bashkia e Tiranës ka nderuar dje me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, tre konsitucionalistët e njohur, Prof. Dr. Luan Omari, Prof. Dr. Ismet Elezi dhe juristin Niazi Jaho, në një ceremoni të veçantë, ku u nënvizua kontributi i tyre për shumë vite në këtë fushë.

“Shumë faleminderit Niazi Jahos, Luan Omarit dhe Ismet Elezit për tre shekuj kontribut – janë thuajse 300 vite angazhim në shërbim të komunitetit dhe vendit tonë. Është bekim i madh që ju kemi mes nesh dhe një mundësi e jashtëzakonshme që, secili prej nesh t’jua shprehë në sy mirënjohjen dhe falenderimin. Tirana është një qytet ku mund të ketë kulla të larta, bulevarde të mira, mund të presë presidentë, mbretër e mbretëresha, por nëse ky qytet nuk kujton ata që kanë dhënë kontribut, që e kanë shkrirë jetën, pasionin, kohën, energjinë e tyre me të, atëherë ky qytet është një qytet gjysmak. Sot do të doja që ky qytet të ishte aq i lartë në formën e tij shpirtërore, sa edhe në kullat e tij”, tha Erion Veliaj.

Ai shtoi se këto tre emra janë figura të denja për respektin e qytetit një milionësh të Tiranës.

“Më shumë se sa përlëvdim i punës dhe i jetës së tyre, është një sfidë për jetën dhe shërbimin tonë, nëse do të jemi të denjë që një ditë të kemi këtë mirënjohje dhe falenderim. Një gjë është e sigurt: historia, koha dhe kontributet kanë provuar se Niazi Jaho, Luan Omari dhe Ismet Elezi janë të denjë për respektin e qytetit tonë një milionësh dhe janë të denjë për të gjithë ata breza, një pjesë e të cilëve janë këtu sot, që janë në majat e karrierës së tyre”, u shpreh kryebashkiaku.

Top Channel