Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës mirëpret draftin e propozuar nga kryeministri Rama për Asocacionin

08/06/2023 14:09

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mirëpritur draftin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për Asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një deklaratë për mediat, Hoxhaj u shpreh se vlerëson propozimin e kryeministrit shqiptar.

“E përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama. Shqipëria ka pasur rol në të kaluarën, duhet të ketë rol edhe sot në tejkalimin e situatës në veri të vendit.

Së dyti, Asocacioni nuk është një shpikje e kryeministrit Rama, është një obligim nga viti 2013, për të cilin unë kam qenë që të zbatohet.

Së treti, Kurti e ka pranuar Asocacionin me pikën e shtatë, për një vetëmenaxhim dhe në pikëpamjen time, iniciativa e kryeministrit Rama duhet të ketë mbështetje në Kosovë”.

Kosova, shtoi deputeti i PDK-së, ndodhet në një fazë shumë kritike.

“Së pari, mendoj se Kosova është në një fazë shumë kritike. Ajo që po shihni në veri të vendit, nuk është fuqizim i sovranitetit të Kosovës, por dorëzim i sovranitetit. Prania e KFOR-it dhe roli i organizatave ndërkombëtare tregon se po kthehemi në një situatë që menduam se i përket të shkuarës. Ne si PDK jemi jashtëzakonisht të shqetësuar.

Mendoj që Kurti duhet t’u thoshte ‘po’ këtyre tri kërkesave që i kanë partnerët tanë amerikanë. Ky është qëndrimi im individual, pasi mendoj që çdo qytetar i Kosovës kërkon çtensionim të situatës”.

Top Channel