Frikë nga lufta, Europa rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

08/06/2023 12:40

Të nxitur duket edhe nga lufta e Ukrainës, shumë shtete të Europës po diskutojnë rikthimin e shërbimit ushtarak, i cili u hoq masivisht në kontinentin e vjetër pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në vazhdën e rënies së Murit të Berlinit, detyrimi i përgjithshëm për shërbim ushtarak dukej se ishte një model i vjetërsuar. Gjermania e pezulloi atë krejtësisht në vitin 2011, me idenë që mund të aktivizohej vetëm nëse Bundestagu konstatonte një rast tensioni ose mbrojtjeje, siç parashikohet në Kushtetutën Gjermane. E njëjta gjë vlen për shumë vende të tjera evropiane.

Që nga viti 1993, nga 29 vendet evropiane që janë sot anëtare të NATO-s, përfshirë Turqinë, vetëm gjashtë e kanë mbajtur shërbimin e detyrueshëm ushtarak deri sot. Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Kanadaja kanë pasur ushtri thjesht profesioniste prej 50 vjetësh ose më shumë.

Por pas agresionit rus kundër Ukrainës, shumë vende rritën buxhetet e mbrojtjes e kanë nisur të mendojnë edhe rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Menjëherë pas aneksimit të Krimesë, Ukraina në 2014-tën dhe Lituania një vit pas saj, e rivendosën këtë shërbim për meshkujt të moshave 18-26 dhe 25 vjeç. Por pas sulmit të Rusisë shkurtin e vitit të kaluar, qeveria ukrainase vendosi që të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 60 vjeç mund të thirren për të shërbyer në ushtri.

Ndër vendet e tjera që po mendojnë rikthimin e shërbimit ushtarak janë Letonia, Rumania, Holanda dhe Suedia, Franca dhe Gjermania.

Top Channel